Dronet amerikane sulmojnë veriun e Pakistanit

24/08/2012 00:00

Pavarësisht protestave diplomatike të Islamabadit, dronet amerikane vijojnë bombardimet në zonat kufitare mes Pakistanit dhe Afganistanit ku në shënjestër janë të dyshuarat si baza të militantëve talebanë.

Një sulm i ngjashëm i ndërmarrë së fundmi shkaktoi të paktën 16 të vrarë në zonën tribal të Vaziristanit verior, pranë kufirit me Afganistanin. Lajmi konfirmohet nga autoritetet pakistaneze, ndërkohë që NATO dhe Shtetet e Bashkuara deklarojnë se të tilla bombardime janë jetësore në luftën kundër militantëve që operojnë në kufirin mes dy vendeve.

Një ditë më parë, një zyrtar i lartë i diplomacisë pakistaneze dorëzoi në Uashington një notë proteste kundër bombardimeve të tilla, që sipas Islamabadit po rrezikojnë jetën e të pafajshëmve, gra e fëmijë.

Ndërsa Ministria e Jashtme pakistaneze publikoi një deklaratë për mediat ku saktësoi se kishte thërritur për sqarime përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Islamabad, pas sulmit të fundit.

Sulmet me avionë të telekomanduar në zonat e thella malore mes Afganistanit dhe Pakistanit nga ana e Shteteve të Bashkuara kanë shkaktuar jo pak herë humbje jetësh të pafajshme dhe janë shndërruar në burim konflikti diplomatik mes Pakistanit dhe Uashingtonit.

Sulmet janë pjesë e strategjisë së re të luftës në Afganistan të Pentagonit dhe janë përshkallëzuar ndjeshëm që pas ardhjes në pushtet të presidentit Barack Obama në vitin 2008.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB