Dramë për çiklistin amerikan, Lance Armstrong. Rekordmeni, shtatë herë fitues i Turit të Francës, rrethit çiklistik më të rëndësishëm në botë, akuzohet për doping nga agjencia amerikane anti-doping, USADA.
Vetë sportisti ka vendosur të mos kundërshtojë këto akuza, ndërkohë që USADA me shumë gjasa do t’i heqë atij nga palmarrësi të gjitha titujt e karrierës, përfshirë ata të fituar nga vitet 1999-2005.
“Vjen një moment në jetën e secilit prej nesh ku duhet thënë boll. Kur teprohet, teprohet. Për mua ky moment ka mbërritur tani”, deklaroi vetë Armstrong për mediat amerikane pas akuzave të publikuara nga USADA.
Tashmë Armstrong, që konsiderohet si një nga sportistët më të mëdhenj në sportin e çiklizmit, vec titujve rrezikon edhe pezullimin e përhershëm nga të gjitha garat. Edhe herë të tjera ndaj tij janë hedhur akuza për përdorim të substancave të palejuara nga federatat, ndërkohë që për disa muaj me radhë u shkëput nga drejtimi i mjetit me dy rrota për t’iu nënshtruar kurimit të kancerit, betejë të cilën mundi ta fitojë.
Top Channel