Siri, luftime të ashpra në qytetet kryesore

23/08/2012 16:10

Forcat e ushtrisë së rregullt siriane janë duke përdorur artileri të rëndë dhe sulme nga ajri për të goditur pozicionet e rebelëve, ndërsa luftimet vazhdojnë të ashpra në dy qytetet kryesore të vendit, në kryeqytetin Damask dhe Alepo.

Të paktën 41 persona humbën jetën në sulmet e helikopterëve në disa lagje rebele të Damaskut në orët e para të mëngjesit të së enjtes, por bilanci total i viktimave në 24 orët e fundit besohet të jetë shumë më i lartë.

Predha të kalibrit të rënë u përdorën edhe për të goditur zonat urbane të Alepos.

Grupi i të drejtave të njeriut, “Amnesty International”, theksoi se “civilët po u nënshtrohen vuajtjeve dhe dhunës së niveleve të pabesueshme”.

Për qytetarët e thjeshtë, situata rëndohen nga fakti se asnjë prej palëve nuk duket se aktualisht është duke fituar, me forcat qeveritare dhe kryengritëse që kanë realizuar vetëm avancime të vogla brenda zonave urbane, gjatë muajit të fundit.

Sipas raporteve, veçanërisht e ashpër është lufta në qytetin me dy milionë të Alepos, një zonë nevralgjike ekonomike dhe që besohet se do të jetë vendimtare për të përcaktuar fatin e revolucionit që është duke ndodhur në vend.

Situata pa zgjidhje brenda vendit ka intensifikuar takimet diplomatike, me SHBA-në, Francën dhe Britaninë që kanë kërcënuar se përdorimi i armëve kimike nga ana e qeverisë së Bashar al-Assad do të jepte “automatikisht” lejen për ndërhyrje të njëanshme ushtarake në vend.

Siria, vendi që ka stokun e katërt më të madh në botë të armëve kimike, ka kërcënuar me përdorimin e tyre vetëm nëse do të sulmohet nga jashtë.

Rusia dhe Kina janë shprehur më parë në mbështetje të vazhdimit të bisedimeve diplomatike, për gjetjen e një zgjidhjeje për Sirinë.

Aktualisht, në luftën e nisur që në mars 2011, numri i viktimave është rreth 25 mijë, me mbi 60-70 mijë të plagosur e të arrestuar dhe qindra mijëra të shpërngulur nga vendi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA