SHBA, kardinali katolik do bekojë Romney-n

23/08/2012 00:00

Kardinali më i vjetër i Kishës Katolike Amerikane do t’i japë bekimin e
tij kandidatit Mitt Romney në Konventën Kombëtare Republikane.

Kardinali Timothy Dolan do të drejtojë lutjet në evenimentin që do të transmetohet në televizione, ka bërë të ditur vetë Romney në një intervistë.

Aktualisht kardinali po kritikon presidentin Barack Obama për reformën e tij shëndetësore, por zyra e tij ka deklaruar se pjesëmarrja në konventë nuk synon promovimin e rivalit të tij.

Joseph Zwilling, një zëdhënës i kardinalit, ka deklaruar se marrëveshja e arritur në dy javët e fundit nuk ishte njëpartiake dhe se kardinali ishte i hapur për ftesa nga të dyja palët politike.

Zoti Romney e bëri të ditur lajmin në një intervistë për programin televiziv “The World Over Live”, i transmetuar në kanalin katolik EWTN.

Kardinali Dolan drejton Arkdioqezën Katoliko-Romake të Nju Jorkut dhe është gjithashtu drejtues i Konferencës Amerikane të Priftrinjve Katolikë.

I dërguari i BBC në Uashington thotë se zyra e kardinalit synon të anashkalojë paraqitjen e Romney, duke e cilësuar veprimin e saj si një lutje të thjeshtë.

Por të tjerë do ta shohin veprimin në fjalë si bekimin që autoriteti më i lartë katolik i Shteteve të Bashkuara po i jep kandidatit republikan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB