Paqe në Kukës, sfidohet FSHF

23/08/2012 00:00

Pak ditë na ndajnë nga fillimi i sezonit të ri futbollistik për edicionin 2012-2013, ku një ndër sfidat më interesante është ajo e dy klubeve të ngjitura njëherësh në kategorinë Superiore mes Kukësit dhe Luftëtarit të Gjirokastrës.

Ndeshja e parafundit e sezonit të shkuar mes këtyre dy skuadrave ishte një imazh dhune i skuadrës vendase të Kukësit dhe një pjese të tifozerisë së saj, ngjarje që sollën dënimin e fushës kuksiane me 6 ndeshje pa tifozë.

Por Komisioni i Disiplinës dhe Federata Shqiptare e Futbollit është mënjanuar këtë herë pasi të dyja skuadrat kanë rënë dakord që ndeshja të luhet normalisht me tifozë, ndërkohë që pritet edhe inaugurimi i stadiumit të ri.

Një konsensus i pranuar edhe nga presidenti i Luftëtarit, e njëkohsisht kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime.

“Ne nuk kemi pse u privojmë vëllezërve tanë kuksianë dhe tifozerisë kuksiane këtë festë të madhe”, deklaroi presidenti i Flamurtarit dhe kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Bime.

Nga ana tjetër i pyetur nga Top Channel, drejtuesi i punimeve Vladimir Spahiu thekson se gjithcka do të jetë gati për datën 26 gusht kur do të zhvillohet edhe kjo ndeshje.

Sic shihet edhe nga pamjet, stadiumi i Kukësit, “Zeqir Ymeri” është rindërtuar plotësisht dhe ka një imazh model, ndërkohë që ka mbetur ende pa përfunduar tribuna VIP, ajo e medias dhe dhomat e zhveshjes, për të cilat drejtuesit e punimeve premtojnë se do të mbyllen brenda afatit.

Ndërkohë FSHF, me sa duket do të jetë e pranishme në këtë stadium të dielën për të prerë shiritin e për të çuar topat e ndeshjes, pasi rregullat e saj e të Komisionit të Disiplinës, me sa duket, mbeten vetëm si njoftime për mediat në letër, pa u zbatuar nga askush.

Top Channel