Krizë diplomatike Izrael-Afrikë e Jugut

23/08/2012 16:25

Izraeli dhe disa shoqata hebrehe protestuan ashpër pasi kabineti në Afrikën e Jugut miratoi një rregullore, në bazë të së cilës mallrat e importuara izraelite, të prodhuara në Palestinë, do të etiketohen me emërtimin “Territoret e Pushtuara Palestineze”.

Ministri i Jashtëm i Izraelit e cilësoi këtë veprim si “tërësisht të papranueshëm” dhe një “diskriminim i turpshëm”.

Megjithatë, një zyrtar i Afrikës së Jugut u shpreh se masa e marrë është në përputhje të plota me politikën ndërkombëtare të vendit dhe legjislacionin ndërkombëtar.

Ndërkohë, grupet pro-palestineze kërkuan vendosjen e një bojkoti dhe të një fushate sanksionesh ndaj mallrave dhe kompanive izraelite.

Një zëdhënës i Pretorias zyrtare, Jimmy Manyi, shpjegoi përpara gazetarëve se “ky lloj etiketimi është në përputhje me qëndrimin e Afrikës së Jugut, që njeh kufijtë e vitit 1948, të përcaktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe nuk pranon ekzistencën përtej këtyre kufijve të shtetit të Izraelit. Si rrjedhojë, territoret jashtë kufijve të vitit 1948 janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar të pushtuar”.

Në deklaratën e Tel Avivit, sulmi ndaj autoriteteve të vendit afrikan ishte i ashpër. Në të lexohej: “Ky përjashtim dhe diskriminim sjell në mendje idetë raciste, të cilat qeveria e Afrikës së Jugut, më shumë se çdo vend në botë për shkak të sfondit historik të vendit, duhet të kishte refuzuar tërësisht”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA