
“Jam viktimë e akuzave të padrejta që synojnë të më vendosin mua në qendër të një skandali trukimesh të sajuar”.
Ky është reagimi i trajnerit të Juventusit, Antonio Conte pak orë pasi gjykata e apelit e drejtësisë së futbollit italian la në fuqi vendimin e mëparshëm që e pezullon atë me 10 muaj larg fushave të blerta.
“Unë s’kam vënë kurrë bast në jetën time dhe tashmë jam më shumë i bindur se kurrë, që njerëz si Carrobio (lojtari i cili e akuzoi për dijeni në shitjen e dy ndeshjeve gjatë kohës kur Conte drejtonte Sienën), që shisnin ndeshjet, janë për mëshirë. Është një turp”, shtoi Conte.
Ish-tekniku juventin (zyrtarisht nuk është më në krye të bardhezinjve, ndonëse gjatë javës është ai që udhëheq seancat stërvitore), hedh akuza mbi gjyqtarin që dha vendimin kundër tij, duke e cilësuar këtë vendim si personal e të pabazuar në prova.
“Kjo është një cështje absurde. Unë kam qenë gjithmonë korrekt si në fushë ashtu dhe jashtë saj. Kemi të bëjmë me një gjyqtar që flet për mua, shpif për mua, ndoshta si tifoz duke kaluar në gjëra personale”, thotë Conte.
Conte u dënua me 10 muaj pezullim nga gjykata e parë e FIGC. Në apel, drejtuesit e Juventusit dhe vetë trajneri shpresonin në uljen e këtij dënimi, e në rastin më të mirë edhe anulimin e tij. Por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe tashmë mbetet për t’u parë nëse do të jetë ende Carrera ai që do të drejtojë bardhezinjtë gjatë 10 muajve mungesë të Conte-s, apo Juventus do të vihet në lëvizje për gjetjen e një trajneri të ri.
Top Channel