Ceremonia përkujtimore e minatorëve afrikanë

23/08/2012 00:00

Ceremoni të ndryshme po organizohen në Afrikën e Jugut në kujtim të 44 viktimave të dhunës në minierën e Marikanës. Shërbesa përkujtimore e mbajtur në minierën e platinit të zotëruar nga Lonmin, mblodhi aty liderë të kishës, politikanë e mijëra njerëz të thjeshtë.

Raportet për greva në dy miniera të tjera platini kanë shtuar frikën se trazirat po zgjerohen, në një kohë kur që prej muajit maj, cmimi i metalit të vyer është në nivelet e tij më të larta.

Përshkallëzimi i situatës erdhi një javë më parë, kur protesta e minatorëve degjeneroi në dhunë e policia hapi zjarr mbi demostruesit duke vrarë 34 prej tyre. Përpara kësaj 10 vetë, dy nga të cilët policë, kishin humbur jetën në përplasjet e ashpra me forcat e rendit gjatë grevës së zgjatur me në thelb kërkesën për paga më të mira.

Për shkak të trazirave, miniera e Marikanës aktualisht është e mbyllur. Ajo që binte në sy nëpër ceremoni, ishte mungesa e pranisë policore. Sipas korespondentëve të huaj, policët që konsiderohen nga shumë vendas si nismëtarët e përplasjes dhe shkaktare të masakrës, po mbajnë një profil të ulët, duke zgjedhur të qendrojnë larg syve të publikut në një moment të tillë.

Pavarësisht cmimit të paguar në jetë njerëzish, nisma e minatorëve duket se ka nisur të japë efekt. Frika e përhapjes së aksionit të tyre ka bërë që raporteve për greva t`u jepet më shumë rëndësi, ndërsa prodhuesi numër një i platinit në botë, “Anglo-American Platinum”, deklaroi se ka marrë një listë të gjatë kërkesash nga punonjësit e tij në Afrikën e Jugut, të cilat do të shqyrtohen me kujdes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB