Britania e Madhe iu bashkua Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kërcënimin se përdorimi i armëve kimike do të përbënte linjën e kuqe që do të detyronte “komunitetin ndërkombëtar” në një ndërhyrje të njëanshme ushtarake në Siri.
Paralajmërimi erdhi pas një bisede telefonike midis kryeministrit David Cameron dhe Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama.
”BBC” raportoi se Cameron bashkëbisedoi edhe me Presidentin e Francës, Francois Hollande, me të cilën u arrit një qëndrim i përbashkët mbi krizën siriane.
Bashkimi i Uashingtonit, Londrës dhe Parisit vjen në një ditë veçanërisht të ngarkuar të përballjeve diplomatike mbi Sirinë.
Më parë gjatë ditës, Kina iu kundërvu qëndrimit amerikan, duke theksuar se “armët kimike” po përgatiten të përdoren si pretekst nga Uashingtoni për ndërhyrje në këtë vend.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pati theksuar të martën se çdo ndërhyrje e njëanshme mbi qeverinë e Damaskut do të përbënte një shkelje flagrante të ligjeve ndërkombëtare dhe si e tillë do të detyronte Moskën të merrte masa të njëanshme.
Ndërkohë, luftime të ashpra vazhdojnë në Alepo dhe zona të tjera të Sirisë, ku numri i viktimave të regjistruara rritet me mesatarisht 200 në ditë.
Top Channel