Tërmeti, SHBA heq sanksionet ndaj Iranit

22/08/2012 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht sanksionet ndaj organizatave joqeveritare me seli në Amerikë për të ndihmuar financiarisht përpjekjet e rimëkëmbjes pas tërmetit në Iran.

Deri më tani, sanksionet nuk preknin ushqimet dhe mjekimet e nisura drejt Republikës Islamike për arsye humanitare, por kjo nuk vlente për paratë. Fillimisht Irani e refuzoi ndihmën nga jashtë pas dy tërmeteve të fuqishme në veri-perëndim të vendit, që morën të paktën 300 jetë njerëzish. Por Teherani është kritikuar ashpër për reagim të ngadaltë ndaj fatkeqësisë.

Vendimi i Departamentit të Thesarit erdhi pas trysnisë së ushtruar nga disa OJQ amerikano-iraniane ndaj Shtëpisë së Bardhë për të lejuar dërgimin e parave në mbështetje të punonjësve të ndihmës në terren.

Uashingtoni ka vendosur sanksione të ashpra mbi Iranin për shkak të programit të tij bërthamor, i dyshuar prej kohësh nga autoritetet amerikane se po përdoret për prodhimin e një bombe atomike.

Tërmeti që shkatërroi 6 fshatra e plagosi mbi 3.000 persona, ishte një nga më të fuqishmit në Iran që prej vitit 2003, kur lëkundjet apokaliptike të tokës në qytetin e Banit vranë 25.000 vetë.  

Presidenti i atëhershëm amerikan, George Bush lejoi dërgimin e ndihmës financiare, çka nxiti organizatat joqeveritare t’i kërkonin Barack Obama-s të bënte të njëjtën gjë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB