Rusia paralajmëroi për një reagim të ashpër ndaj çdo ndërhyrje të njëanshme në Siri, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan se mund të ndërhyjnë në rast të përdorimit të armëve kimike prej qeverisë së Damaskut.
Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, theksoi se nuk mund të pranohet asnjë ndërhyrje e jashtme për zgjidhjen e krizës dhe se vendet e dyta duhet “t’i binden në mënyrë rigoroze normave të ligjit ndërkombëtar”.
Ditën e hënë, Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, pati theksuar se përdorimi i armëve kimike do të përbënte “linjën e kuqe”, përtej së cilës ndërhyrja ushtarake do të bëhej e pashmangshme.
”Zbatimi i rregullave ndërkombëtare është e vetmja rrugë e mundshme në këtë moment për Sirinë”, u shpreh Lavrov. “Çdo demokraci e imponuar me forcën e bombave do të ishte po aq tragjike sa edhe lufta me të cilën përballet tani vendi”.
Rusia dhe Kina janë dy vendet e vetme të mëdha që mbështesin qeverinë e Bashar al-Assad, që prej fillimit të revoltave popullore në mars 2011.
Deri më sot, Moska ka vendosur veton përballë tre rezolutave në Këshillin e Sigurimit, që synonin të vendosnin bllokada të ashpra ekonomike dhe të lehtësonin mundësinë e ndërhyrjes së huaj ushtarake në Siri.
Top Channel