U zhvilluan pesë ndeshjet e radhës së fazës së “play-off”-it të Ligës së Kampioneve.
Në Spanjë, Malaga mundi Panathinaikosin me rezultatin 2-0 dhe në sfidën e kthimit në Athinë i duhet të administrojë rezultatin për të siguruar kualifikimin për në fazën e grupeve.
Malaga e kontrolloi mjaft mirë ndeshjen duke siguruar fitoren brenda 45 minutave të para. Në minutën e 17, De Michelis shënoi golin e parë për spanjollet, ndërkohë që 11 minuta nga intervali Elizeu i çoi shifrat në 2-0.
Në pjesën e dytë, Malaga mund të kishte shënuar gola të tjerë, por në fuqi mbeti rezultati i pjesës së parë.
Në Portugali, Udineze barazoi me Bragën 1-1, rezultat ky që i jep asaj një avantazh të lehtë në ndeshjen e kthimit.
Skuadra italiane kaloi e para në avantazh në këtë ndeshje me anë të Bastës në minutën e 23. Në pjesën e dytë, bardhezinjtë patën 2 mundësi të mira për të dyfishuar rezultatin, por portieri i Bragës nuk lejoi që porta e tij të prekej sërish.
Pak çaste më vonë, Braga barazoi rezultati falë një goli spektakolar të Ismail. Në ndeshjet e tjera të fazës së “play-off”-it të Ligës së Kampioneve, Limasol, ku aktivizohet edhe portieri shqiptar Isli Hidi fitoi ndaj Anderlehtit 2-1, ndërsa BATE Borisov mundi Ironi Kiriat 2-0.
Sukses shënoi edhe Dinamo e Zagrebit që mundi Mariborin me rezultatin 2-1.
Këto pesë ndeshje plotësuan raundin e ndeshjeve të vajtjes, pas pesë ndeshjeve të para të luajtura ditën e martë.
Top Channel