Foto/ Gropa ‘përpin’ tre anije në Angli, shpëtojnë mrekullisht dhjetëra persona Hija e krizës siriane po shtrihet gjithmonë e më shumë në Libanin fqinj. Luftimet mes dy komuniteteve muslimane në veri të vendit, të përçara për çështjen e Sirisë, i kushtuan jetën 7 personave, ndërsa 70 të tjerëve kanë mbetur të plagosur.
Shkëmbimet e zjarrit mes sunitëve dhe alavitëve në rrugët e qytetit të Tripolit kanë vazhduar për të dytën ditë rresht. Besnikeria ndaj palëve në konfliktin përtej kufirit, ka rizgjuar hasmëri të vjetra. Presidenti sirian Bashar al Assad është alavit ndërsa luftëtarët e opozitës, i përkasin krysisht komunitetit sunit.
Kryeministri libanez Najib Mikati, edhe ai vetë sunit, i bëri thirrje të dyja palëve t’i japin fund betejës absurde që po trondit Tripolin me 200.000 banorë, qyteti i dytë më i madh i Libanit.
“Vazhdimisht i kemi paralajmëruar njerëzit të mos tërhiqen në këtë valë dhune që po përhapet nëpër Liban. U kërkoj banorëve të Tripolit të mos lejojnë askënd t`i shndërrojë në municione për luftën e dikujt tjetër”, tha ai.
Tripoli është një prej fronteve më të paqendrueshme të mosmarrëveshjeve sektare, me një komunitet të vogel alavit që jeton mes shumicës sunite. Dhuna atje ka shpërthyer disa herë kohët e fundit, por përleshjet e këtyre dy ditëve kanë qenë vecanërisht të ashpra e intensive. Sipas dëshmitarëve okulare, janë përdorur edhe armë të rënda në një zonë shumë më të gjërë se zakonisht.
Edhe pse politikat qeveritare po përpiqen ta distancojnë vendin nga kriza siriane, sa më shumë thellohet dhuna sektare në shtetin fqinj, aq më e vështirë po bëhet parandalimi i shtrirjes së saj përtej kufirit.
Top Channel