Kukesi – Luftëtari me tifozë?!

22/08/2012 00:00

Ndeshja e javës së parafundit për kategorinë e parë, në edicionin e shkuar mes Kukësit dhe Luftëtarit të Gjirokastër regjistroi skena dhune, që çuan deri në plagosjen e lojtarëve me thika pas takimit, apo hedhje sendesh të forta në fushë, e që pasoi më vonë me reagimin e Komisionit të Disiplinës së FSHF-së.

Në bazë të këtij vendimi të dalë më 9 maj të këtij viti, skuadra e Kukësit është dënuar me 6 ndeshje pa tifozë. Katër muaj më pas, Kukësi do të bëjë debutimin në Superligë dhe si për rastesi të fatit sërish kundër Luftëtarit.

Dhe këtë javë pritet edhe që të nis të vuajë dënimin prej 6 ndeshjesh pa tifozë. Pritet, pasi takimi Kukësi – Luftëtari është lajmëruar se do të luhet në Kukës, me praninë e tifozëve. Ende nuk dihet se si mund të ketë ndodhur ndryshimi i vendimit të Komisionit të Disiplinës, por nën zë flitet për një marrëveshje mes dy klubeve, Kukësit dhe Luftëtarit për shkak se Kukësi do të inaugurojë edhe stadiumin e ri dhe kërkon që këtë ta bëjë në prani të tifozerisë së tij.  

Ndërmjetëse është bërë FSHF e cila ka kontaktuar me presidentin e Luftëtarit, kryetarin e bashkisë Flamur Bime. Sido që të jetë marrëveshja, ajo shkel hapur vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe rregullat e vendosura prej vetë organit më të lartë të futbollit shqiptar.

Ditën e enjte delegatë të FSHF-së do të shkojnë për të inspektuar punën e bërë në stadiumin e ri, i cili sipas parashikimeve duhet të përfundojë deri ditën e shtunë kur është parashikuar ndeshja. Por në të njëjtën kohë ekziston rreziku që punimet të vonojnë dhe nëse stadiumi nuk bëhet gati për të shtunën, kjo ndeshje jo vetëm që nuk do të luhet me tifozë, por nuk do të luhet fare në Kukës.

Top Channel