Kenia, dhunë ndëretnike, 48 viktima

22/08/2012 16:00

Të paktën 48 persona janë vrarë në përleshjet ndëretnike në jug-lindje të Kenias. Lajmin e ka bërë të ditur policia lokale.

Përleshjet në rajonin e Lumit Tana kanë ndodhur vonë gjatë së martës, mes grupeve Orma dhe Pokomo, ka njoftuar shefi i policisë lokale.

Shumica e të vdekurve janë gra dhe fëmijë, pjesa dërrmuese të e të cilëve janë rrahur për vdekje me shkopinj, ka bërë me dije zyrtari.

Përleshja në fjalë është incidenti më i rëndë i ndodhur që kur aktet e dhunës tronditën vendin pas zgjedhjeve të debatueshme katër vjet më parë.

Oficeri Joseph Kitur ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “AFP” se personat e vrarë janë rrahur deri në vdekje ose janë djegur të gjallë kur kasolleve të tyre u është vënë zjarri.

Sulmet mendohet të jenë përshkallëzuar nga një debat mbi të drejtat për kontrollin e bagëtive. Mes viktimave janë 31 gra, 11 fëmijë dhe gjashtë burra, ndërkohë që ende nuk dihet nëse lidhur me ngjarjen e rëndë ka pasur të arrestuar.

Oficeri Kitur ka thënë më tej se nga hetimet ka rezultuar se sulmi barbar është kryer nga Pokomot ndaj Ormave. Ndërkohë, Danson Mungatana, deputet i zonës, ka thënë se vrasjet e së martës janë të fundit e një gjakderdhjeje të gjatë që ka nisur më parë nga përplasja për bagëtinë.

Top Channel