Tamburet e luftës të cilave u bie Izraeli duket se nuk po e trembin Iranin, i cili i interpreton paralajmërimet si një element propagande.
Qeveria e Teheranit nuk i sheh fare ato si sinjalin e një sulmi të vërtete të “armikut sionist” kundër impianteve bërthamore të instaluara në vend.
“Izraeli nuk është në gjëndje të sulmojë. Nëse me të vërtetë do ta ndërmerrte një hap të tillë, do të bënte vetëm një vrimë në ujë”, ka thënë ministri i Jashtëm, Ali Akbar Salehi.
Era e një lufte kundër Iranit ndjehet prej ditësh në shtypin izraelit. Sulmi parashikohet të jetë i koordinuar dhe kibernetik, i papreçedent, që do të ndërpresë brenda pak minutash internetin, lidhjet telefonike, radion, televizionin, komunikimet satelitore dhe lidhjet e fibrave optike të ndërtesave strategjike të Iranit. Qëllimi: “Regjimi iranian nuk duhet të kuptojë asgjë se çfarë ndodh brenda kufirit të tij”.
Pjesë të skenarit, i cilësuar nga mediat si “hollivudian”, u publikuan më herët gjatë muajit nga Richard Silverstein, i njohur nga të gjithë si “Wikileaks-i i Izraelit”.
Në faqen e tij online, “Tikum Olam” (të ndreqim botën), ai publikoi një copëz të dokumentit që do t’i kalojë ekipit të sigurisë, i cili merr vendime të rëndësishme për vendin.
Për të treguar forcën e tij në rast sulmi, Irani lajmëroi më herët gjatë së mërkurës se ka përfunduar me sukses ndërtimin dhe testimin e një rakete të re balistike me rreze të shkurtër, të quajtur “Fateh-110” ose “Pushtuesi”.
Top Channel