Ekuadori: Nuk e lëshojmë Assange

22/08/2012 00:00

Ekuadori nuk ndryshon qendrim për Julian Assange. Në Amerikën Latine, agresioni seksual nuk konsiderohet krim, ndaj s`do të ketë tërheqje të azilit për themeluesin e Wikileaks.

Megjithatë, presidenti i Ekuadorit Rafael Correa, të cilit i përket dhe pohimi në fjalë, mendon se aktivisti australian duhet t’i përgjigjet akuzave të ngritura ndaj tij prej dy grave suedeze. Të tilla komente, me të gjitha gjasat, do t`i shtojnë polemikat që rrethojnë 41-vjecarin, por në të njëjtën kohë flasin për një shteg të mundshëm kompromisi në sherrin diplomatik mes Britanisë dhe Ekuadorit.

Vazhdën e deklaratave të tij fshikulluese, presidenti ekuadorian e pasuroi edhe me akuzat ndaj qeverisë britanike për hipokrizi e tha se është i përgatitur për vazhdim të konfliktit, ndonëse kjo mund të nënkuptojë humbjen e mbështetjes publike e tregtare të Britanisë.

“Nëse Mbretëria e Bashkuar e distancon veten nga Ekuadori për shkak të këtij vendimi të dhënies së azilit, sigurisht që do të shqetësohemi sepse e vlerësojmë lart këtë vend e sidomos popullin e tij, por nuk do të lëkundemi nga pozicioni ynë. Pavarësisht qendrimit të Londrës, ne si shtet kemi detyrimin të veprojmë me përgjegjësi. Nga momenti që ka kërkuar azil, zoti Assange ka të drejtën të qendrojë në ambasadë për aq kohë sa do të dëshirojë”, tha presidenti Correa.

Tre janë sipas Correas mundësitë që ngërçi të zgjidhet, e para, Britania të premtojë dërgimin e tij në aeroport pa kërcënimin e arrestimit, e dyta Assange të heqë dorë nga azili me dëshirën e vet dhe së fundi, qeveria e Ekuadorit të ndryshojë mendjen, gjë që s`do të ndodhë.

Për “Daily Telegraph”, Assange u tall me Britaninë e tani po vë në lojë edhe Ekuadorin. Sipas gazetës, pretendimet e tij se autoritetet suedeze duan ta ekstradojnë në Shtetet e Bashkuara, janë të pabaza përderisa amerikanët as kanë paraqitur ndonjë kërkesë të tillë, e as kanë lëshuar ndonjë mandat ndërkombëtar arresti.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB