
Rikthehet Klasikja e futbollit spanjoll e gjithashtu edhe dueli mes dy futbollistëve më të mirë të momentit për Topin e Artë: Cristiano dhe Messi.
Sezonin e kaluar sulmuesi i Real Madrid bëri që peshorja të anonte nga ana e tij. Edhe pse argjentinasi i Barcelonës shënoi 82 gola në sezon kundrejt 69 të portugezit (duke numëruar edhe golat me kombëtaret), Cristiano shënoi golin e fitores së Realit në Camp Nou, gol që vendosi edhe titullin kampion.
Superkupa e Spanjës do të tregojë për herë të parë gjendjen e gjigandëve spanjollë në fillim të sezonit të ri. Gjithsesi, fitorja e këtij trofeu do të ndikojë më shumë në çmimin “Futbollisti më i mirë i vitit në Europë”, çmim që jepet nga UEFA.
Cristiano, Messi dhe Iniesta janë finalistët e 30 gushtit, datë kur do të shpallet fituesi. Dy të parët janë edhe favoritët kryesorë për çmimin më të rëndësishëm individual në futboll: Topin e Artë FIFA.
Por, ky çmim nuk do të jepet para muajit janar dhe ato që do të ndodhin gjatë muajve në vazhdim mund të ndihmojnë Cristianon të rrisë diferencën me Messin ose argjentinasin e Barçës të kalojë portugezin.
Ndeshja e parë e Superkupës së Spanjës do të luhet në Camp Nou, të enjten në orën 22:30.
Top Channel