Tiranë, grabitet me armë kazinoja

21/08/2012 00:00

Një grabitje me armë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një nga kazinotë e shumta të kryeqytetit.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave dy persona të maskuar dhe të pajisur me armë zjarri kanë hyrë me forcë në kazino.

Pasi kanë marrë paratë që kanë qenë në gjendje, 2.7 milionë, dy grabitësit janë larguar nga vendi i ngjarjes, në rrugën Mine Peza, saktësojnë burimet.

Mbi ngjarjen po hetojnë agjentët e komisariatit numër tre, të cilët edhe pse kanë urdhëruar ngritjen e postoblloqeve, nuk kanë rënë ende në gjurmët e autorëve.

Ndërkohë, uniformat blu të komisariatit numër 6 kanë arrestuar po mëngjesin e sotëm 23-vjeçarin Mentor Djaloshi, i cili u kap në flagrancë teksa vidhte një kabëll të Telekomit.

Grabitjet dhe kriminaliteti ordiner në vend vazhdojnë të jenë në kuota të larta, një tregues që konfirmon varfërinë dhe papunësinë.

Zonat më të prekura nga ky lloj kriminaliteti në kryeqytet janë kryesisht ato periferike, si Kinostudioja apo Kombinati.

Më herët gjatë muajit i tërë vendi u trondit nga vrasja e një gruaje në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, nga një grabitës që donte t’i merrte varsen.

Pas një seri hetimesh intensive, policia e Tiranës arrestoi 20-vjeçarin Aldo Hoxha si autorin e dyshuar të vrasjes në fjalë.

Ndërsa një ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit paralajmëroi të gjithë tregtarët e floririt që blejnë artikuj të vjedhur se do të përballen me ligjin.

Aksioni, i cili do të jetë në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve, synon ndaljen e shitjes në tregun e paligjshëm të sendeve të vjedhura nga bandat e të rinjve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB