
Alexandre Song u prezantua si lojtari i ri i Barcelonës dhe dha për mediat spanjolle konferencën e parë për shtyp i shoqëruar nga drejtuesit Maria Bartomeu dhe Andoni Zubizarreta.
“Kam ardhur në ekipin më të mirë në botë dhe jam i lumtur që jam lojtar i Barcelonës. Është një mundësi që të vjen vetëm një herë në jetë. Falenderoj Wengerin dhe Arsenalin që më lejuan të largohesha. Ky është një ekip me kampionë dhe një ekip fitues. Shpresoj të fitoj shumë tituj me këtë fanellë”, theksoi kamerunasi.
Mesfushori zbuloi edhe arsyen se pse e pranoi menjëherë ofertën e katalanasve: “Kam dy fëmijë që janë tifozë të çmendur të Messit dhe sapo mora vesh që Barcelona interesohej për mua nuk e mendova dy herë. Fëmijët e mi janë shumë të lumtur tani.”
Në lidhje me Sergio Busquets, rivalin e tij për një vend në formacionin titullar, Song nënvizoi: “Është më i miri në pozicionin ku luan. Nuk kam ardhur të ul në stol askënd e aq më pak Sergio Busquets. Unë mund të luaj si qendërmbrojtës dhe si mesfushor qendre. Do të luaj ku të më thotë trajneri.”
Top Channel