Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti u prit dhe zhvilloi bisedime me homologun kinez, Yang Jiechi.
Deklarata e Partneritetit Strategjik, nënvizoi Panariti gjatë takimit, e cila është nënshkruar tre vjet më parë nga dy kryeministrat, Sali Berisha dhe Wen Jiabao, në Pekin, përbën një bazë tjetër solide të marrëdhënieve dhe shprehje të vullnetit të përbashkët politik, për zhvillimin në stade edhe më të larta të raporteve midis dy vendeve.
Ministri Panariti përsëriti dëshirën që Kina, duke patur një rol shumë të madh në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme ndërkombëtare, të luajë rolin e saj në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Duke folur për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve, ministri Yang Jiechi u shpreh se ato janë mjaft premtuese, jo vetëm për shkak të traditës e vullnetit politik, “por edhe për faktin që realiteti i zhvillimeve të vendeve tona ofron një potencial të madh për ta ngritur këtë bashkëpunim, sidomos në fushën ekonomike, në një stad të ri”.
Panariti në Kinë
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti nisi të hënën një vizitë në Republikën Popullore të Kinës, ku u prit nga zëvendëskryeministri kinez Li Keqiang.
Ministri Panariti shprehu falënderimin për ndihmën dhe asistencën që Kina i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në drejtim të zhvillimit ekonomik.
Gjatë bisedës ministri Panariti u ndal në mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për bashkëpunim në fushën ekonomike, por dhe në fusha të tjera si kulturë, arsim, etj.
Nga ana e tij, Keqiang tha se Kina e Shqipëria duhet të zhvillojnë me përparësi marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe në mënyrë të veçantë ato në ekonomi, duke shtuar se qeveria kineze do të tregojë kujdes, duke krijuar më shumë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare.
Ai u shpreh gjithashtu se, qeveria kineze në të njëjtën kohë do të përkrahë kompanitë kineze të njohura, që të shfrytëzojnë të gjitha potencialet që ofron aktualisht ekonomia shqiptare.
Top Channel