Sokol Shameti – Lajmi më vendimtar politik i javës së fundit: mbyllja me sukses e pushimeve nga ATA të dy. Përmes një çelësi sekret nënkuptues, mbarimi i ekspeditave të tyre veruese i jep njëherësh fund edhe sezonit të pushimit të detyrueshëm në media.
Udhëheqësit iu kthyen punës, ndaj s’ka më sens të vazhdojë as fashitja e opinionbërjes as rënia e nivelit të saj. E kjo, ngase edhe komentariati (ndryshe: lumpenproletariati propagandistik) siç ndjek gjatë vitit të njëjtën kurbë humori dhe revoltimi të brendshëm me ventrilokët e vet në politikë, ashtu edhe kujdeset posaçërisht për të pasur të njëjtën orë biologjike me ta, për ca pauza të shëndetshme mirëmbajtjeje truri.
Harmonikë dhe kompatibël. Simon Berisha & Garfunkel Rama are back again. Pra, të gjithë mund të rivizitojnë idetë e vjetra aty ku i lanë. Entuziastët e mazhorancës që vazhdon e pashqetësuar projektin e saj për demontimin e shtetit dhe shitjen e tij për skrap te privati vendas e i huaj, mund të devijojnë vëmendjen drejt debatit për “kufizimin e imunitetit”. Ndërsa entuziastët e opozitës mund të revoltohen duke thënë: “A, jo. Ne jemi për kufizimin e imunitetit, plus një jastëk ortopedik falas”, duke synuar fshehtas që kështu ta marrin ata në dorë timonin e projektit për demontimin e shtetit dhe shitjen e tij për skrap te privati vendas e i huaj.
Në të dyja rastet, veç një mungese të lavdërueshme morali është e domosdoshme megjithatë edhe ndonjë lloj mase mbrojtëse psikologjike. Një fashë sanitare kundrejt irritimit a ndërgjegjësimit të papritur të atij ndaj të cilit do të ushtrohet ky pezullim morali: pra popullit. Lypset me një llaf, pakëz lubrifikant, nga ata që ulin ndjeshmërinë.
***
Nderin e veçantë të gomarllëkut më sublim të kohëve të fundit në botën e errët kriminale, e meritoi rasti i atyre që u bënë të njohur si “hajdutët fotografë”. Të përfshirë në plaçkitjen e një vile të pasurish, ata ranë në një aparat fotografik i cili u ndezi trillin teveqel të përjetësimit të vetes në poza triumfale mbi gjënë e huaj. Ku të veshur me petka luksoze e ku të krekosur mbi mobilie të shtrenjta, pak më vonë në konfuzionin e ikjes zotërinjtë hajdutë u kujdesën – për surprizën e detektivëve – ta harrojnë me sukses në shtëpinë e plaçkitur, aparatin fotografik. Tok me të, edhe provën shkatërrimtare të çdo alibie që mund t’u kishte shpëtuar ndoshta kokën.
Për pesëdhjetë a më shumë vjet me radhë gjatë periudhës socialiste, edhe shoqëria shqiptare kështu e ka “fotografuar” vetveten brenda banesës së kësaj ideologjie të huaj e të pamerituar prej saj. Fotografia ceremoniale nuk tregon thjesht atë që jemi, por përmes sforcimit të buzëqeshjes, qëndrimit a veshjeve më të bukura se ato të jetës sonë normale, ajo është në vetvete edhe një farsë.
Në rastin e shoqërisë shqiptare, kjo shëmbëlltyrë paraqiste perversitetin e ekzaltimit të atyre tipareve që e bënin atë të ishte pikërisht ajo që ishte (dhe vazhdon të jetë): një shoqëri e dominuar nga hipokrizia që këtej e quajnë inteligjencë, nga mungesa e disiplinës që shitet për vitalitet, intoleranca që përkthehet në pagabueshmëri dhe vrazhdësia që mban vendin kryesor nën siglën e një lloj trimërie të krisur.
Kjo sapere aude e shoqërisë ishte arsyeja e kohës, misioni epokal i natyrës. Por si çdo fotografi që merr kuptim vetëm nëse dikush jashtë nesh e konstaton atë, ashtu edhe vlerat e auto-pretenduara të shoqërisë shqiptare ishin një mall për konsum të jashtëm. Një panoramë piktoreske e asaj si shqiptarët duan të perceptohen. Qëllimi i saj është i drejtuar së jashtmi.
Në i vënçim veshin Kantit tek “Fillimi i hamendësuar i historisë njerëzore”, do të konstatojmë se “të këqijat më të mëdha që shtypin popujt e edukuar, vijnë nga lufta, por jo pikërisht nga lufta në zhvillim e sipër… sesa nga armatimi (pra ideja)…për luftën e mundshme”. Zaten asokohe, edhe ne thuheshim të rrethuar nga armiq të jashtëm e pikërisht këtyre armiqve u adresohet mirazhi ynë shoqëror.
Kanti argumenton se në kushtet e rrezikut konstant i cili jo gjithmonë përputhet me realitetin e që në shumë raste fabrikohet nga klasat sunduese, “liria cenohet fuqishëm” dhe “kujdesi prej nëne i shtetit për anëtarët e tij, shndërrohet në një ashpërsi të paepur kërkesash, megjithatë duke e justifikuar këtë me frikën prej një rreziku të jashtëm”. Një tren me destinacion komunizmin ikte vazhdimisht nga stacioni ynë dhe për të na bërë të rendnim për ta arritur në orar, armiku i jashtëm ishte përherë aty duke përgjuar pas ndonjë prite.
Koha xhanëm kërkon në çdo epokë sakrificat e veta në formën e një lloj haraçi të pashmangshëm për avancimin drejt progresit shoqëror. Kur armiku i jashtëm zhvleftësohet ngaqë ne zbulojmë ngjashmërinë tonë me të, atëherë shoqëria i vihet punës për krijimin e ndonjë forme të re armiku që të na bëjë të rimarrim marshimin.
Kështu kjo dogmë vazhdon të jetë e pranishme edhe sot në një format të përditësuar. I konstatuar edhe herë të tjera në mënyra të ndryshme, “armiku i jashtëm” tani fshihet te stadet e njëpasnjëshme e të pambarimta në rrugën drejt integrimit europian. Te kriteret. Lista me 12 pika e pyetësorit të BE-së. Kriza greke. Banka Europiane. Komisioneri i paepur (dhe gati-gati cinik) për zgjerimin. Standardet europiane të mbikëqyrura nga ambasadorët e pakuptueshëm guru, që flasin duke mos thënë asgjë.
Ky destinacion i paarritshëm e pajis shoqërinë me një vetëdije në gjendje mobilizimi. Një formë gatishmërie numër një a gjendje lufte të përhershme e të ftohtë. Rreziku i jashtëm tani është një trajtë pasigurie vajzërore se “s’do të pëlqehemi” e si pasojë edhe s’do të pranohemi nga Europa. Një lloj paranoje problematike e ngjashme me ankthin sportiv të një skuadre që i kanoset skualifikimi. Rrezikojmë pra, të jemi të papreferueshëm.
Fatkeqësisht, pas kalimit nga etapa kur rrezikonim të mos meritonim trenin për komunizëm, ky rrezik i ri i jashtëm është edhe kërcënimi tjetër me anë të të cilit anulohen tani të drejtat dhe suspendohet demokracia nga ana e qeverisë. Privatizimet masive të pronës publike dhe shpenzimi i të ardhurave të tyre për majmjen e sektorit privat, kryhen nën retorikën e arritjes së standardeve europiane.
E njëjta logjikë qëndron prapa inferioritetit ndaj interesave të korporatave shfrytëzuese shumëkombëshe apo subkontraktorëve të vet vendorë. Varfërimi i pandalshëm i masave është rezultat direkt ndaj edhe rreziku i pakënaqësisë popullore shfaqet në horizont. Kësisoj vjen miratimi arbitrar i legjislacionit që centralizon pushtetin apo rrit kontrollin e autoriteteve, i cili përligjet me qëllimin e sakrificave të dhimbshme, por të domosdoshme në emër të integrimit. Po ky qëllim shërben si mesazh i nënkuptuar dhe i padiskutueshëm për klimën që ngushton dhe korrupton hapësirën e debatit, frymën kritike dhe mendimin progresiv.
Për shumë kohë, filozofitë politike i mundon pyetja se si shpjegohet ekzistenca e përhershme e një elektorati mbështetës ndaj qeverive abuzive. Kjo ndodh kur gjendja e jashtëzakonshme kthehet në një situatë të natyrshme e normale të shoqërisë e cila dorëzon armët, braktis rezistencën, ul kërkesat dhe i lë rrugë të lirë abuzimit të pashmangshëm me pushtetin në emër të një synimi madhor. Pajtimi me abuzimin bëhet akti vetëflijues nga ana e shoqërisë për të pranuar statuskuo-në dhe për ta legjitimuar atë me bindjen se qëllimi i justifikon mjetet. Një lloj LSD-je nën efektin e së cilës vetë viktima vajis gijotinën nën të cilën do të vendosë kryet.
Por përveç rrezikut të jashtëm që përdoret si energji për kalitjen e vetëpërmbajtjes shoqërore, në Shqipëri ky është gjithashtu edhe justifikimi për çdemokratizimin e opozitës. Pakënaqësia se Shqipëria e qeverisur kështu do të jetë e papranueshme nga Europa, shërben si forca motore që indinjon dhe mobilizon masat. “Nuk bën kështu – ankohen “të majtët” shqiptarë – qeveria po na le mbrapa e po na diskrediton në rrugën drejt integrimit”.
Sipas saj, ritmet depesonalizuese të shoqërisë shqiptare nuk janë ato të duhurat dhe kjo është arsyeja përse vendet mes pushtetit dhe opozitës duhen këmbyer. Rreziku i jashtëm që i kanoset Shqipërisë nëse nuk ndërron qeverisjen, shërben kësisoj si lënda djegëse që mban në lëvizje frymën kundërshtuese ndaj mënyrës sesi e bën detyrën qeveria. Sipas opozitës, ajo e bën keq dhe kjo anomali po lë përshtypje negative te të huajt të cilëve duhet t’u reklamohemi si të pranueshëm. E gjithë kjo, e bën më të madh rrezikun e jashtëm që të mos i pëlqejmë Europës, ndaj koha na thërret për sakrifica më të mëdha. Si për shembull, zëvendësimin e atyre që e kanë korruptuar sistemin kapitalist, me këta të tjerët që do ta bëjnë këtë sistem të funksionojë ashtu siç duhet.
Si përfundim mund të thuhet se edhe pse me shkak të brendshëm, pasojat e kësaj frike nga armiku i radhës, janë të drejtuara nga jashtë brenda. Ja pse Europa si utopi posthumaniste është edhe destinacioni i kartolinave nga “banda” jonë e “fotografëve”. Kjo forcë e mbinatyrshme policore (pra “armike” si çdo autoritet që pengon natyrshmërinë), kontrollon me lupë zmadhuese gjenuinitetin tonë të krekosur me petkat moderne me të cilat jemi vetëfotografuar brenda shtëpisë tjetër të plaçkitur. Shtëpi, që kësaj radhe është ajo e demokracisë.
Top Channel