
Super Sport fillon sot rrugën e gjatë dhe spektakolare të Champions League, aktiviteti më i rëndësishëm europian për klube.
Tashmë fazat paraeliminatore kanë mbërritur në ndeshjet e fundit të play off-it, përpara se të përcaktohen skuadrat e fundit të kualifikuara që do të marrin pjesë në fazën e grupeve.
Nga këto 20 skuadrat e raundit të katërt, ku pesë ndeshje do të zhvillohen sot dhe pesë ndeshje të tjera ditën e nesërme, do të kualifikohen vetëm 10 ekipe të cilat do të marrin pjesë më pas në shortin e fazës së grupeve të Champions League, që do të hidhet më 31 gusht.
Faza e grupeve si gjithmonë do të jetë e përbërë nga 8 të tilla, me nga 4 skuadra dhe nga muaji shtator deri në dhjetor do të mbyllet kjo fazë për t’i lënë rradhën në vitin e ardhshëm fazave të tjera, deri në finalen e madhe, e cila në këtë edicion, 2012-2013, do të zhvillohet të shtunën e 25 majit të vitit të ardhshëm në tempullin e futbollit, në “Wembly”.
Deri në këtë fazë Super Sport do t’ju shoqërojë si gjithmonë në këtë maratonë të ndeshjeve të aktivitetit më të madh europian të klubeve.
Top Channel