Partia Socialiste lëshon alarmin për atë që e cilëson si vënien nën komandë nga kryeministri të institucioneve të rëndësishme të drejtësisë, sigurisë dhe inteligjencës.
Deputeti socialist Taulant Balla renditi rastet kur sipas tij, frerët e insitucioneve të pavarura po merren në dorë, nga njerëzit e kryeministrit, tashmë edhe me bekimin e presidentit Bujar Nishani.
“Bujar Nishani konfirmoi pritshmërinë e të gjithëve se ai nuk mund jetë tjetër veçse një kukull e komanduar tërësisht nga Sali Berisha, duke e shndërruar Presidencën në një ministri të dorës së dytë të kësaj Qeverie. Shkarkimi i Drejtorit të SHISH-it dhe emërimi i Visho Ajazit në krye të këtij Shërbimi, pa asnjë konsultim me partnerët dhe shërbimet partnere, zgjedhja e Elvis Cefës nënkryetar i KLD-së, vazhduan dje me emërimin e Ylli Zylës në krye të Policisë Ushtarake. Si ka mundësi që një person si Ylli Zyla, i dorëhequr si Drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, për shkak të akuzave për trafik ndërkombëtar armësh dhe përgjime të paligjshme të opozitës dhe të diplomatëve të huaj në Tiranë, emërohet nga treshja Berisha, Nishani dhe Imami, në këtë pozicion kaq të rëndësishëm të ushtrisë shqiptare? Më lejoni të kujtoj se bashkëshortja e Ylli Zylës rezultoi të ishte bashkë-aksionere me një ish-shtetas shqiptar me pasaportë serbe dhe një shtetas polak në një kompani të licensuar për eksport armësh, duke shkelur në mënyrë të hapur ligjin “Për konfliktin e Interesit”, deklaroi zoti Balla.
Deputeti Balla ka ripërsëritur akuzat e opozitës për përgjime të jashtëligjëshme nga Shërbimi Sekret i Ushtrisë për llogari të kryeministrit.
“Sali Berisha, Arben Imami dhe Ylli Zyla ngritën në Ministrinë e Mbrojtjes një njësi përgjimi të paligjshëm. I kërkoj Sali Berishës të përgjigjet publikisht për Ylli Zylën, për lidhjet e tij me trafikun e armëve, trafik që Saliu edhe i biri e njohin mirë. I kërkoj Sali Berishës të përgjigjet publikisht për të gjitha urdhërat e dhëna për blerjen dhe vënien në punë të pajisjeve për përgjim në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe ky emërim i bërë në këto kushte është pjesë e përshkallëzimit të kapjes së shtetit. I them sot Sali Berishës, hiq dorë nga këto skenarë të vjetër të kapjes së shtetit. Koha jote po mbaron! Vënia nën kontroll e një sërë institucionesh të pavarura nga ana Sali Berishës në bashkëpunim me Bujar Nishanin, tregojnë se pushtetit të Sali Berishës i ka ardhur fundi”, shtoi deputeti socialist.
Top Channel