Venezuelë, luftë bandash në burg, 20 viktima

20/08/2012 17:15

Një revoltë e dhunshme e ndodhur në një burg të Venezuelës ka lënë pas 20 persona të vdekur. Lajmin e kanë komunikuar autoritetet lokale, sipas të cilave revolta shpërtheu në burgun e Jares, në shtetin e Mirandës.

Ministrja e burgjeve, Iris Varela ka deklaruar se situata tani është kthyer në normalitet falë ndërhyrjes së forcave speciale, por më herët ajo kishte dalë tërësisht nga kontrolli.

Revolta shpërtheu pas një përleshjeje mes dy bandave rivale dhe përveç anëtarëve të tyre humbi jetën edhe i afërmi i një të burgosuri.

“Pati një përplasje mes dy grupeve të armatosura mirë brenda burgut. Megjithatë, shkaku i vërtetë i dhunës ende nuk dihet”, ka bërë të ditur ministrja Varela.

Duke shprehur shqetësimin për gjendjen e burgjeve në Venezuelë, ajo ka theksuar se të dënuarit e dhunshëm janë një pakicë, por që mbajnë nën kontroll situatën përmes terrorit.

Shumica e të burgosurve ishin paqësorë që donin të përfundonin dënimin dhe të ktheheshin në jetën e tyre normale, ka saktësuar zonja Varela.

Komisioni Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut deklaron se protestat dhe përleshjet mes bandave rivale kanë përfshirë burgjet venezueliane dhe kanë shkaktuar 500 viktima vetëm vitin e kaluar.

Ndërsa muajin e kaluar, një tjetër revoltë e ndodhur në burgun e Sepras zgjati 20 ditë, derisa vetë liderët e rebelimit vendosën të vetëdorëzoheshin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA