Siria, i dërguari i ri hedh poshtë kritikat

20/08/2012 17:55

I dërguari i ri i OKB-së për Sirinë ka hedhur poshtë kritikat e bëra ndaj tij nga grupet e opozitës, për fatkin se refuzon të thotë nëse presidenti Bashar al Assad duhet të dorëhiqet.

Lakhdar Brahimi tha për BBC se ende nuk është në pozitën për të thënë një gjë të tillë, por shtoi se është i angazhuar për të gjetur një zgjidhje.

Zoti Brahimi, ish-ministër i Jashtëm i Algjerisë, javën e kaluar mori vendin e Kofi Annan, që dha dorëheqjen pasi të dyja palët injoruan planin e tij të paqes.

Ditën e diel vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara i dhanë fund misionit të tyre për të verifikuar implementimin e planit në fjalë.

Largimi i tyre erdhi pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së ra dakord për skadimin e mandatit të tyre në mesnatë dhe në vend të misionit ngriti një zyrë të re civile në Damask për të vendosur kontaktet politike që mund të çojnë tek paqja.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu ka deklaruar se vendi i tij po përpiqet të menaxhojë fluksin e refugjatëve nga Siria.

Zoti Davutoglu propozoi sërish që OKB të përcaktojë një zonë të sigurtë brenda Sirisë për të strehuar personat që largohen për shkak të konfliktit.

Kjo, pasi sipas tij, Turqia nuk ka mundësi të akomodojë mbi 100 mijë persona, nga 70 mijë që kanë mbërritur tashmë në këtë vend.

Grupet opozitare siriane kanë bërë thirrje për “parajsa të sigurta”, por ideja nuk ka ngjallur interes ndërkombëtar, me Rusinë dhe Kinën që e kundërshtojnë atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA