
Kalendari i javës së dytë të kampionatit francez vendoste përballë skuadrën e Ajacios kundër PSG-së së sheikëve, skuadër e blinduar me emra të njohur gjatë kësaj merkatoje verore.
Në letër dukej gjithcka e lehtë për kryeqytetasit, por e kundërta rezultoi në fushën e lojës. Në Korsikë, vendasit dhanë zemrën në fushë duke krijuar volum loje e më shumë raste për të marrë 3-pikëshin. Por megjithë përpjekjet e tyre, takimi u mbyll në barazim 0-0, ndërsa PSG e mbylli takimin me 10 lojtarë pas largimit me karton të kuq të Lavecit. Si të mos mjaftonte, me karton u ndëshkua edhe vetë Anceloti.
Ky ishte barazimi i dytë i PSG-së, që e nis si superfavorite për fitimin e kampionatit, në po kaq ndeshje të luajtura. Nga ajo që u pa në fushë, parizienët vuajtën mungesën e dy emrave, Thiago Silva-s në mbrojtje e sidomos të Ibrahimovic në sulm. Ky i fundit është lënë jashtë për shkak të një dëmtimi që rrezikon ta mbajë jashtë edhe në ndeshjen kundër Bordosë këtë të dielë. Kjo e fundit mban kreun (bashkë me Lion dhe Marsejë) me pikë të plota të marra në dy takimet e para.
Top Channel