Afrikë, vrasja e minatorëve të platinit

20/08/2012 12:15

Nuk kanë kaluar veçse pak ditë nga masakra e minatorëve në Afrikën e Jugut dhe Lonmin u ka vënë kolegëve të tyre greviste ultimatumin t`i kthehen punës ose në të kundërt do të flaken jashtë.

Deklarata e kompanisë pronare të minierës së platinit thotë se 3.000 protestuesit duhet të paraqiten në punë gjatë ditës së sotme. Afati i dhënë fillimisht atyre skadonte të premten, por pas vrasjes së 34 minatorëve demonstrues nga policia, firma e ka shtyrë me disa ditë. Një pjesë e grevistëve e konsiderojnë ultimatumin e ri fyerje që i bëhet gjakut të derdhur.

“Shokët tanë vdiqën sepse pretenduan atë që u takon me të drejtë”, tha një minator për agjensinë e lajmeve ‘AFP’.

“Tani nga ne kërkohet të shkelim mbi kujtimin e tyre e të kthehemi në punë. Nuk kemi për ta bërë kurrë!”

Miniera e Marikanës është një nga më të mëdhatë në botë për prodhimin e platinit. Në situatën e krijuar, policia u mbrojt duke thënë se grevistët ishin të armatosur dhe se forcat e saj kishin vepruar në vetëmbrojtje. Të njëjtën gjë pretendoi edhe firma drejtuese. Edhe pse është e vërtetë se disa prej protestuesve kanë pasur armë, nuk dihet me siguri nëse ishin ata që nxitën dhunën.

Grevistët insistojnë se policia hapi zjarr e para. Rreth 80 persona mbetën të plagosur gjatë episodit të dhunës dhe 250 vetë përfunduan në pranga. Presidenti Jakob Zuma shpalli të dielën një javë zi kombëtare duke e shoqëruar njoftimin me komentet se “i gjithë kombi është i shokuar e vajton këtë humbje të jetëve njerezore”.

Kjo nuk ka ndaluar megjithatë Lonmin-in të përsërisë ultimatumin e saj ndaj grevistëve, mosmarrëveshja me të cilët ka në thelb kërkesat për rritje të pagës.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA