Vali Qyrfyçi – Mjaftuan ca sms të mbetura në celular për ta parë ndryshe
Nazime Vishën. Nuk shihet më si viktima e vërtetë e tragjedisë që u
mbyll me një të vrarë dhe atë në pranga, por si një zuskë, si një femër
që prish martesa, një lubi që kërkon para e nuk e njeh nderin.
E ndërsa mbi të hidhet baltë, vetëm pak orë pasi të gjithë e shihnin dhe komentonin me keqardhje historinë e saj katërvjeçare, familjet e prekura të dy protagonistëve kanë marrë zemër. Për herë të parë ndihen të rëndësishëm dhe flasin, komentojnë, aq sa duket sikur kanë lënë pas dhembjen, dramën dhe pasojat e saj në jetën e gjithsecilit prej tyre. Njëra palë flet për dinjitet të vënë në vend (turp!), pala tjetër për një kurvickë të vogël që synonte t’i merrte burrin Mynyres së shkretë, që ndonëse e dinte historinë e të shoqit abuzues ndaj një të miture jetonte me të, kujdesej për të dhe jep deklarata se ajo, autorja e futi në kurth duke dashur t’ia merrte asaj nga shtrati dhe të martohej me të. Në gjithë këtë lumë thëniesh e kundërthëniesh të familjarëve dhe sms-ve të Nazimes, që të përplasen në fytyrë për të të përcjellë një tjetër anë të historisë dramatike me bazë një marrëdhënie të pamoralshme shqiptare, çdokush ndihet i çoroditur e gjykon, herë njërin dhe herë tjetrin. Në varësi të atyre që na ofrohen orë pas ore, ditë pas dite në ndjekje të lajmit dhe përcjelljes të sa më shumë detajeve nga gazetarët te publiku. Kështu, një histori e vogël e një fenomeni të madh që gjallon në realitetin e sotëm shqiptar erdhi e fitoi përmasa të konsiderueshme përmes krimit të vrasjes. Ishte ky që e nxori në dritë, duke nxitur qëndrime dhe gjykime emotive të tipit: “Pushka top! Mirë ia bëri!”, “I shkreti iku kot, nga një putanë e vogël që s’donte gjë tjetër veç para dhe…”, “Ç’është kjo që s’di as të shkruajë shqip, na e neveriti.”. Dhe thëniet vazhdojnë pafund. Po kush është Nazimja 18-vjeçare, në rast se është ajo që qëlloi mbi viktimën, pasi janë hedhur dyshime dhe për këtë pas publikimit të mesazheve telefonike? Është vajza që u rebelua ndaj jetës së saj, ndaj dhunuesit të saj, ndaj familjes që e braktisi, ndaj shtetit dhe shoqërisë indiferente për jetën e saj dhe të shumë vajzave të tjera si ajo, që pasi bëjnë vetëm pak klasë shkollë mbahen të mbyllura në shtëpi në pritje të fatit që t’u trokasë në derë. E nëse diçka e cenon “bardhësinë” fati zinohet, sido që të vijë. E prangosura e sotme është përfaqësuese e atyre që pranojnë diktatin në heshtje, fillimisht të personit abuzues e më pas të rrethanave, pasi nuk gjejnë dot mbështetje te familjet, as te shoqëria, po duhet të përshtaten, ta pranojnë realitetin për aq sa munden dhe të notojnë në ujërat e tij për t’ia dalë. Ajo qëlloi mbi autoritetet që ishin në dijeni të një drame familjare të denoncuar nga familja e Nazimes dhe që mund ta kishin parandaluar rrjedhën e historisë. Qëlloi mbi autoritetet arsimore të zonës së saj, që nuk vepruan me masa shtrënguese që ajo dhe të tjera si ajo të arsimohen, të kryejnë nivelin e detyrueshëm arsimor. Ajo qëlloi dhe për të na treguar për baballarët e pafuqishëm, të pazotë për të mbrojtur familjen, në emër të mirëbesimit te miku, dhe që deklarojnë se fëmija u ktheu nderin e nëpërkëmbur me anë të krimit.
Muça padyshim që mbetet protagonisti i kësaj ngjarjeje me krimin e kryer që në momentin e marrëdhënieve seksuale me një të mitur. Ajo ishte vetëm 14 vjeçe, e padalë, e paedukuar dhe e rritur në pritje të fatit të saj, që u “shkërmoq” pas humbjes së virgjërisë nga miku i shtëpisë. Ta deklaronte mund të rrezikonte veten, por edhe të motrën, nuse në derën e Muçëve dhe prej këtej zë fill një tjetër histori. Rast i pastër manipulimi. Nis të lidhet me abuzuesin e saj. Nis të jetojë duke iu përshtatur rrethanave të diktuara dhunshëm nga abuzimi seksual dhe mentaliteti, kultura në të cilën është rritur dhe i ka varur shpresat tek ai. Në këtë rast vajza duket se është prekur nga Sindroma e Stokholmit. Psikika njerëzore është shumë komplekse, ndërthur dhunimin me kënaqësinë, frikën me mbijetesën, dëshirën për të jetuar me atë për t’u ndarë nga vuajtja dhe varfëria. Dhe askush nuk mund të gjykojë lehtë dikë, pa i marrë në konsideratë të gjitha rrethanat e përjetimet e një çështjeje, të cilat në më të shumtën e rasteve ngelen të panjohura. Jetojmë në kohë moderne dhe përjetojmë fenomene mesjetare. Jeta reale është brenda çdo familjeje që përballet me konflikte të ashpra, që ndonjëherë përfundojnë në krime; jeta reale nuk është në rrugët e Tiranës, Durrësit e qyteteve të mëdha ku njerëzit lëvizin duke përhapur parfumin e shtrenjtë dhe shkëmbyer thashetheme e bërë debate të rëndësishme mbi politikën “e madhe” të këtij vendi nëpër kafene. Jeta e vërtetë ndodhet aty ku duket se nuk arrijmë dot të përkundur në kotësirat Berisha-Rama etj., dhe që mjaftojnë ngjarje të rënda si ato të kësaj vere, që nuk janë të rralla, po tepër të afërta në kohë dhe për këtë ende mjaft tronditëse, për të na bërë të kuptojmë dhe të kërkojmë në mënyrë të vazhdueshme funksionimin real të shtetit, të shtetit të së drejtës, ku të gjithë luajnë rol konkret, jo vetëm me fjalë e deklarata që treten në ajrin e mbushur nga krimi, injoranca dhe pasiguria që sjell moszbatimi i ligjit.
Top Channel