Rusia: Ndaloni luftën në Siri

17/08/2012 00:00

“Vendosni një afat për fundin e luftimeve në Siri”. Ndërhyrja më e fundit e Rusisë në çështjen e krizës siriane erdhi nga i dërguari i Moskës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vitali Churkin, që foli për dështim të ndalimit të masakrave e për domosdoshmërinë e një apeli drejtuar të gjitha palëve në konfliktin sirian, ku i kërkohet të ulin armët sa më parë që të jetë e mundur.

Pavarësisht faktit që thuajse 200 sirianë humbin jetën çdo ditë në vendin e zhytur tashmë në luftë civile, diplomati rus insiston se zgjidhja politike ende është e mundur dhe bëri me faj anëtarët e Këshillit të Sigurimit që kërkuan tërheqjen e monitouresve të OKB-së.

“Besojmë se anëtarët e Këshillit që insistuan në largimin e vëzhguesve nuk treguan angazhimin e duhur për fundin e armiqësive dhe bashkëpunimin drejt një zgjidhjeje politike për Sirinë”, deklaroi Churkin.

Por në Uashington, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Victoria Nuland deklaroi se misioni monitorues nuk kishte më kuptim.

“Ata nuk qenë në gjendje ta kryenin punën për të cilën u dërguan në Siri, e që ishte monitorimi i armëpushimit. Arsyeja qëndron në faktin që nuk patën liri lëvizjeje në pjesë të ndryshme të vendit dhe për pasojë nuk arritën të përmbushnin detyrën e tyre”, dekalroi Nuland.

Rusia kërkon një takim në OKB ku të diskutohet mbi situatën e krijuar, por Nuland i zbehu pritshmëritë e saj me këtë pohim të thjeshtë:

“Sinqerisht, nuk arrijmë ta kuptojmë se cili do të ishte qëllimi i një takimi të tillë. Deri më tani kemi patur takime për hir të mbledhjes së bashku e për të folur në një kohë kur mbështetjen ndaj popullit sirian duhet ta tregojmë me vepra”.

Ndërkohë, një zyrtar amerikan i tha CNN-it se rusët janë kapur me kokëfortësi pas Sirisë dhe nuk duan të lëvizin nga pozicioni i tyre.

Të tjerë zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja besojnë se Moska është plotësisht e bindur që rrëzimi i Bashar al Assad do të zhyste edhe më shumë vendin në kaos, dhe nëse kjo ndodh, faji sipas saj do të rëndojë mbi Perëndimin e sidomos mbi Shtetet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB