Milani dhe Napoli janë duke luftuar për të siguruar sulmuesin e Interit, Giampaolo Pazzini, informoi ditën e premte e përditshmja “La Gazzetta dello Sport”.
Pas një sezoni jo të mirë në radhët e klubit zikaltër, golashënuesi konsiderohet si një lojtar jo i domosdoshëm dhe presidenti Moratti është i hapur ndaj dëgjimit të ofertave.
Rivalët e të njëjtit qytet, në kërkim për një sulmues pas largimit të Ibrahimovic, pas vështirësive në arritjen e një marrëveshje me Matrin, janë përqendruar tek futbollisti i përfaqësueses, për të cilin ofrojnë një huazim me të drejtë blerje.
Megjithatë, vetë Interi duket më i interesuar për bisedimet me Napolin, për të mos përforcuar kuqezinjtë. Në skuadrën e trajnerit Mazzari, Pazzini do të gjente vend si një sulmues përkrah “të paprekshmit” Cavani.
Ndërkohë, mëngjesin e së premtes u konfirmua largimi i një tjetër talenti nga Seria A drejt një kampionati të huaj.
Gaston Ramirez, 21-vjeçari i Bolonjës i pretenduar krytesisht nga Interi, firmosi në Angli një kontratë 4-vjeçare me skuadrën e Sauthamptonin, e gatshme që t’i paguajë 2,5 milionë euro në sezon pagë.
”Shpresoj vetëm që tifozët e Bolonjës të kuptojnë se tashmë për mua kishte ardhur momenti të hidhja një hap të ri në karrierë”, deklaroi futbollisti, i blerë për 15 milionë euro.
Top Channel