Barça i ofron Messi-t zgjatjen e kontratës

17/08/2012 09:55

Barcelona ka nisur bisedimet për të siguruar firmën e Leo Messit mbi një kontratë që do ta mbajë “përjetësisht” në klubin katalanas.

Sipas të përditshmeve sportive spanjolle, tashmë mbi tryezën e argjentinasit qëndron projekt-kontrata që do ta lidhë atë me “Camp Nou”-n deri në vitin 2018.

Aktualisht, Messi ka një kontratë me Barcelonën deri në vitin 2016 dhe për herë të fundit, marrëveshja midis dy palëve u rishikua në kohën e presidentit Laporta, në vitin 2009.

Një kontratë si ajo e propozuara do të lidhte Messin në vitet më të mira të karrierës me klubin e tij aktual, pasi nëse do të nënshkruhet, kontrata do të skadojë vetëm kur argjentinasi të jetë 32 vjeç.

Për momentin, janë ende të paqarta klauzolat e tjera të kontratës, përfshi paga, e fiksuar aktualisht në 12 milionë euro në vit.

Ndërkohë, kampionët në fuqi të Real Madridit duket se janë gjithmonë e më pranë nënshkrimit të një kontrate me kroatin Luka Modriç.

Sipas të përditshmes “Marca”, prezantimi i blerjes do të bëhet të hënën, ndërsa marrëveshja me Tottenham është arritur mbi bazën e 38 milionë euro dhe me lojtarin për një pagë prej 4,5 milionësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA