Policia e qytetit verior francez të Amiensit arrestoi pesë persona, dy prej të cilëve minorenë, në lidhje me përleshjet urbane të ditës së hënë.
Katër prej arrestimeve u realizuan në lagjen ku shpërthyen revoltat, të cilat dëmtuan dhjetëra makina e dyqane, e lanë të plagosur 16 policë.
Në deklaratën që lajmëronte arrestimet, prefektura rajonale theksoi se hetimet janë në vazhdim. Të prangosurit do të ngarkohen me akuzën e “nxitjes së rebelimit”, që me ligjin francez është një vepër e dënueshme deri në dhjetë vjet heqje lirie.
Një burim policor deklaroi për “AFP”-në se imazhet termike të marra nga një helikopter i forcave të rendit ndihmoi në identifikimin e pjesëmarrësve në përleshjet që shokuan vendin dhe risollën në kujtesë djegiet e makinave në periferinë e Parisit në vitin 2005, nga emigrantë të pakënaqur.
Ministri i Brendshëm, Manuel Valls, u prit me brohorritje nga popullsia vendase e Amiensit në një vizitë gjatë së martës, por për arsye sigurie, ai u shoqërua nga një eskortë e armatosur rëndë dhe masa të pazakonta sigurie.
Rikthimi i plotë i rendit është një prej premtimeve kryesore të qeverisë së re të Presidentit Hollande, i cili akuzoi ashpër paraardhësin e tij Sarkozy, për rritjen e kriminalitetit gjatë mandatit të tij.
Nga trazirat e regjistruara në Amiens, në total u shkaktua një dëm prej gjashtë milionë eurosh.
Top Channel