Elbasan, kapen vrasësit

16/08/2012 00:00

Pas gati 10 orësh policia e Elbasanit njoftoi të mërkurën në mbrëmje se arrestoi dy të dyshuarit për vrasjen e Gentjan Beqirajt, ndërsa tha se pritet të arrestohen edhe persona të tjerë.

Sipas policisë, ata janë Florenc Çapja dhe Ajet Jaçe, të dy me preçedentë penalë, të datëlindjes 1981.

Ndërkaq, mësohet së Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur proçedimin disiplinor ndaj 4 punonjesve të nivelit të parë drejtues në Elbasan.

35-vjeçari u ekzekutua në banesën e tij, ku ndodhej në arrest shtëpie dhe ku ruhej nga dy policë. Ai u ekzekutua me armë me silenciator në sy të babait të tij, i cili nga shoku i skenës që pa pësoi infarkt dhe humbi jetën.

Pista e parë e hetimit është adresuar tek një krim i kryer disa vjet më parë, që çoi në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje për të cilën ishte vënë nën akuzë edhe 35-vjeçari Beqiraj, si një prej autorëve të saj.

Për shkak se kishte marrë një plumb në shpatull, atij i ishte caktuar si masë sigurie arresti shtëpiak nën ruajtjen e policisë.

Mëngjesin e së mërkurës, disa persona iu drejtuan apartamentit të Beqirit, në lagjen “Sporti i Vjetër”, dhe policëve që qëndronin tek dera iu prezantuan si shokë të Beqirit.

Derën e shtëpisë e ka hapur pikërisht i ati i tij, ndërsa ata sapo u futën brenda qëlluan për vdekje 35-vjeçarin dhe u larguan.

Që nga koha e implikimit dhe e vënies nën akuzë për pjesëmarrje në vrasjen e Çapjes, Gentian Beqiraj kishte ndryshuar edhe identitet dhe njihej si Ardian Metaj. Policia e Elbasanit arrestoi së pari dy policët që përgjigjeshin për ruajtjen e tij.

Pak pas vrasjes, autombulancat u drejtuan sërish në shtëpinë e Beqirit, pasi familjarët kërkuan ndihmë për të atin, Nezir Beqiri, i cili kishte pësuar infarkt si pasojë e tronditjes nga skena e krimit që kishte pare. Ai ndërroi jetë në repartin e urgjencës, pak pasi kishte mbërritur atje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA