Në fillim të javës së ardhshme nis shpërndarja e teksteve shkollore në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në mbarë vendin.
Lajmi është konfirmuar nga këshilltari i ministrit të Arsimit Jovan Kristiqi i cili i kontaktuar me telefon nga Top News tha se nga dita e hënë, më 27 gusht në të gjithë shkollat do të nisë shitja e teksteve shkollore dhe nxënësit mund të tërheqin paketën e librave në shkollat e tyre.
Sipas Kristiqit, më 27 gusht hapen të gjitha shkollat pasi nis zyrtarisht puna ndaj janë marrë masat që të nisë menjëherë shpërndarja e librave, këshilltari i ministrit të Arsimit tha se titujt e teksteve shkollore janë shtypur të gjitha në masën 100 përqind pra nuk ka asnjë mungesë teksti dhe procesi i shpërndarjes është përgjegjësi e botuesve, Ministria e Arsimit tha Kristiqi do të ndjekë me kujdes gjithë ketë proces për të mos lejuar asnjë vonesë në shpërndarjen e librave, e cila do të vazhdojë deri në datën 10 shtator, ditë kur nis dhe viti i ri shkollor 2012-2013.
Risia e këtij viti është futja e abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë e cila është futur si tekst alternativë në programin mësimor të shkollave.
Ende nuk thuhet zyrtarisht se sa shkolla e kanë zgjedhur abetaren e re por ajo që është e sigurt, është se me këtë abetare do të mësojnë të gjithë fëmijët që nisin klasën e parë në Kosovë.
Top Channel