Pushka e mbushur e krimit

15/08/2012 00:00

NDUE DEDAJ – Krimi ka tronditur Shqipërinë. Nuk ka ditë që të
mos lajmërohen vrasje. Nga më të rëndat e makabret. Të dy e trefishta.
Në të gjithë gjeografinë e vendit. Ka vrasje për grindje të çastit, por
shumica e tyre ndodhin për shkak të ngatërresave të mëparshme,
moszgjidhjes së konflikteve. Sapo ndodh krimi, i gjithë mikromjedisi
përreth zien.

 “E, po, ne e dinim, kishin kohë që dy palët kishin probleme me njëri-tjetrin. Ashtu si e kishin zënë ata, kështu do të venin punët, te pushka.” Ky është njëlloj fataliteti, pranimi i krimit si e keqe e pashmangshme, dorëzimi para tij, heshtja para sherreve që vijnë duke u trashur. Ama kështu ngjet në një shoqëri të paformuar si e jona, ku të gjithë zgjohen vetëm pasi dëgjohen krismat. Koha po provon plot raste kur strukturat e policisë kanë dijeni për këtë apo atë mosmarrëveshje dhe nuk veprojnë, siç ishte rasti i Pukës, që doli në pah pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit. Natyrisht pa i mohuar ato raste kur policia ka parandaluar vrasje dhe krime të tjera. Për zgjidhjen e konflikteve kanë punuar fondacione e shoqata, janë bërë projekte e dhënë fonde, janë thënë fjalë të mira për kinse suksesin e tyre, por gjendja vetëm sa është keqësuar. Kriza e gjithanshme është gjenaratori i kriminalitetit. Në këto njëzet vjet ka pasur përplasje të vazhdueshme mes individëve për çështje pronësie. Shteti nuk ka mundur të jetë dalëzotës i individit pronëkërkues, për të mos thënë se funksionarët e tij kanë qenë dhe gllabëruesit më të mëdhenj të pronave, që herë-herë kanë përfunduar në vrasje; apo abuzimet nga nëpunësit e hipotekave, komisionit të kthimit të pronave, këshillat komunalë etj. Një burrë i moshuar, në një fshat të Veriut, aty nga fillimi i ‘90-s, kishte bërë skemën e ndarjes së tokës dhe kullës për pesë djemtë e tij, që ata të dinin se ku i kishin kufijtë e pronës, çka të bijtë pas vdekjes së tij e zbatuan pikë për pikë, pasi kuptohet, ishte ndarje e drejtë e pa hile. Kurse shteti nuk tregohet një “atë” i mirë, por i lë “bijtë” e tij të ngatërruar për toka, gardhe, vija uji etj. Historia jonë me tokën, bashtinën, historikisht ka kaluar përmes konfliktesh të forta, shpesh të përgjakshme dhe habia është se s’po jemi as sot të zotët ta bëjmë ndryshe historinë. Në këtë kuptim ngjan aq e largët hyrja në bashkësinë europiane, dhe nëse do ta marrim ftesën këtë vjeshtë, siç janë gjasat, ngaqë këto tragjedi na lënë, jo njëqind ditë e net, por njëqind vjet mbrapa.

Populli i armatosur, shteti i “çarmatosur”

Gjatë njëqindvjetëshit të Pavarësisë regjimet politike pa përjashtim kanë pasur përballje me popullatën për sa i përket çarmatimit. Pavarësisht si e qysh, heqja e armëve ishte realizuar mirë në kohën e mbretërisë dhe plotësisht në periudhën e monizmit. Pushteti demokratik që u vendos pas ‘90-s nuk e ktheu dot në një aksion të vetin çarmatimin, as pas ‘97-s, kur dihet se ç’ndodhi me depot e armatimit. Kur populli është i armatosur, shteti është i pafuqishëm përballë krimit. Vriten deputetë, policë, gjykatës, kryetarë komunash, avokatë, biznesmenë dhe ai nuk zbulon dot as vrasësit e tyre. Nuk mund të zgjidhej kjo vetëm me projektet e grumbullimit vullnetar të armëve, përkundrejt përfitimit të fondeve për vepra publike, nga njësitë vendore, siç u veprua fill pas anarkisë. Në një popullatë si e jona, mbledhja e armëve nuk duhet të reshtë asnjëherë, gjë që më mirë se kushdo duhet ta dijë e ta ujdisë politika dhe qeverisja. Një përqindje e konsiderueshme e vrasjeve ndodhin nga bollëku i armëve, ku tjetri për “pesë minuta” turret në shtëpi dhe rrëmben armën e krimit. Nëse armët nuk do të rrinin kaq kollaj në duart e njerëzve edhe vrasje do të kishte më pak. Nuk është se nuk po arrijmë të çarmatosim vetëm ca të fortë që merren me trafiqe, ne nuk kemi çarmatosur dot as barinjtë në male. Apo si mund të shëtisin lirisht me armë në brez rrugëve të qytetit gjer adoleshentët e shkollave? Kjo është një pikëpyetje e madhe për rendin publik dhe sigurinë e jetës. E, megjithatë, thuajse pa ndjenjën më të vogël të protestës qytetare kundër krimit. Pasioni për armën duhet parë edhe në psikologjinë fisnore të pakapërcyer. Ende na vjen për mbarë të rrëfejmë për trimëritë folklorike të fisit, për cubat e kapedanët, kaçakët dhe njerëzit që “hanë” barut me grushte. Dhe nuk e bëjnë këtë vetëm disa të fortë në provincë, por dhe zyrtarë, shtetarë, deputetë të Parlamentit, ku siç dihet nuk kanë munguar as shuplakat mes tyre. Ka plot sharje, kërcënime mes VIP-ash, që e akuzojnë njëri-tjetrin për lidhje me krimin etj. Është thënë sa herë se situata e ndezur politike shërben si benzinë për krimin. Po ashtu, me gjithë përmirësimet, nuk mund të thuhet se policia nuk është e ndikuar nga politika, në forma të ndryshme, qysh me emërimet në polici të njerëzve afër me partinë në pushtet, duke e lënë policinë në një tranzicion të brendshëm, “ikni ju se erdhëm ne”, teksa janë larguar prej andej, kohë pas kohe, oficerë dhe policë karriere të zot.

Krimi dhe qytetaria e bjerrë

Jo pak krime kryhen nga njerëz depresivë, narkomanë, të sëmurë mendorë, delinkuentë, si prindi që hodhi foshnjën e tij nga materniteti i Tiranës, apo babai që vrau të bijën fëmijë në Temal e pastaj dhe veten. Kush i ekzaminon këta njerëz, me probleme të kësaj natyre, që i kemi përditë mes nesh, përherë e më agresivë? A njihen ata një për një dhe si kujdesimi që të gëzojnë shëndet më të mirë, po dhe të mund të mbrohemi nga dhuna e tyre. Ata e kanë të “ligjshme” atë që bëjnë, pasi nuk mund të jenë ndryshe, kurse ne e kemi të paligjshme mungesën e kujdesit njerëzor, qytetar, ligjor. Shohim vazhdimisht të hapen shkolla verore për të sëmurët pranë kishave, por kur do të kemi një “kishë” sociale për ta, ku të jemi të gjithë nga pak kontribuues? Qytetaria është instituti më pak funksionues te ne, për shumëçka. Tregojnë se një qytet ishte strukur nën hijen e krimit ordiner, sot e nesër grindje mes adoleshentësh, vjedhje dyqanesh natën nga hajdutë me maska. Bashkëpunimi i qytetarëve me policinë ishte zero, nga mungesa e një kulture të tillë, asgjë nga policimi dhe komuniteti, dhe nga frika se mos informacioni rridhte nga policë të papërgjegjshëm, “miq” të keqbërësve. Kështu kishte ndodhur edhe atë natë, kur një grup të rinjsh po kryente vjedhjen e një lokali. I kishin dëgjuar dhe të tjerë daltat mbi murin ku ishte arka e parave, por e kishin bërë veshin të shurdhër, si dhe herë të tjera. Por kishte qenë një emigrant, që rronte në një shtet europian, që kishte ardhur për muajt e verës në vendlindje, që kishte vepruar. Ai, në stilin e jetës atje, sapo kishte shkelur këtu, kishte marrë të gjithë numrat e emergjencave, spitalit, policisë, zjarrfikësve etj. Kishte qenë pikërisht ai që i kishte telefonuar policisë për krimin që po kryhej. Dhe policia kishte shpejtuar për në vendin e ngjarjes, patrulla, grupi i gatshëm etj. Kaq ishte dashur që qyteti të niste të bëhej tjetër. Ngjet kështu kur rendin e ruajnë vetë qytetarët dhe ligjin nuk e bën rruga.

Krimi nga të “pafajshmit” e Drejtësisë

Presidenti i Republikës, në mbledhjen e parë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, tha se gjyqtarët që e shohin vendin e tyre të punës për t’u pasuruar ata dhe familjet e tyre do të kenë kundër atë vetë dhe forumin më të lartë të drejtësisë në vend. Për t’u përshëndetur ky qëndrim, qytetarisht, mediatikisht e politikisht. Kanë qenë disa vrasjet e kryera nga persona të dënuar më parë, po që kishin marrë pafajësinë nga gjykatat. Dhe askush nuk ngrihet të protestojë para gjyqësorit për këtë drejtësidhënie të blerë. Të vazhdosh të përsërisësh se bashkërendimi i policisë me prokurorinë është çelësi i suksesit, se kur asnjë polic të mos ketë “komunikim” me persona në kërkim, gjendja do të ndryshojë, na duket e tepërt. Nuk është mbushamendëse se po luftohet krimi, kur thua se u shoqëruan mbi njëqind vetë në polici, si në rastin e vrasjes së fundit tek ish-Fusha e Aviacionit. Përkundrazi, nuk ka qenë e drejtë të shqetësohen njëqind vetë pa lidhje me krimin. (Nëse “shoqërohen” në polici njëqind njerëz në konflikt, me siguri që do të ketë rrjedhime pozitive.) Veçse detaje si ky nuk e zbehin forcën goditëse të policisë, e cila jo pa sakrifica, ka arritur në dhjetëra raste t’i prangosë kriminelët brenda pak orëve.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA