
Anglia dhe Italia luajnë kundër njëra-tjetrës këtë mbrëmje në Bernë të Zvicrës, në testin e parë pas kampionatit europian të zhvilluar në Ukrainë dhe Poloni.
Tekniku italian, Prandelli njoftoi hedhjen në fushë të një formacioni 4-3-3, ku sulmi do t’i besohet që nga minuta e parë Diamantit, Destros dhe El-Shaaraëy. Trajneri italian premtoi edhe aktivizimin e të riut Verrati, një nga emrat premtues të futbollit italian që në merkaton e kësaj vere la skuadrën e Peskarës për t’iu bashkuar yjeve të PSG-së.
Në këtë miqësore do të shihet një Itali pothuajse e gjitha me emra të rinj, ndryshe nga Euro2012. Në mëdyshje është aktivizimi i De Rossi dhe Abate, ndërkohë që bie në sy mungesa e bllokut juventin, të sapokthyer nga Pekini ku luajtën Superkupën kundër Napolit, të fituar në kohën shtesë me rezultatin 4-2 nga bardhezinjtë.
Edhe Anglia pritet të paraqitet me emra të rinj në këtë miqësore, por edhe me skema të reja në fushë, duke qenë se trajneri Roy Hodgson nuk pati kohën e mjaftueshme t’i testonte futbollistët e tij para nisjes së kampionatit europian.
Top Channel