Pas zyrtarizimit të rikthimit tek Yamaha për sezonin 2013, Valentino Rossi i ka kërkuar falje të gjithë tifozëve të Ducati-t për faktin që kurrë nuk arriti të ishte konkurrues me motorin italian.
“Është gjynah që nuk munda të isha i shpejtë me Ducati-n. Do të ishte një kënaqësi e madhe për mua dhe për të gjithë ata që kanë punuar me mua të fitonim disa gara. Më vjen keq për tifozët”, shkruan piloti italian në Twitter.
Valentino Rossi do të jetë mbi një motor Ducati edhe për tetë gara të tjera para se të pilotojë sërish Yamaha-n: “Do të punojmë në maksimum për të bërë gara të mira. Tani na pret Indianapolis.”
“Pista e Indianapolis nuk më pëlqen shumë. Është pistë e vështirë, por do të përpiqemi të përgatitemi sa më mirë”, shton Rossi.
Gara e Indianapolis (SHBA) do të zhvillohet ditën e dielë në orën 20:00 me orën shqiptare. (Provat zyrtare, të shtunën në të njëjtën orë.)
Top Channel