Igli Gjelishti – Kur dërgova për botim shkrimin tim të para tri ditëve, ku ngrija disa problematika e sugjerime në lidhje me website-n e ri të Presidencës, nuk prisja e nuk shpresoja që do të ngjallte shumë interes e do të merrte reagime publike. Në këtë aspekt, më vjen mirë që në gazetën “Koha Jonë” të ditës së diel, ka një reagim në lidhje me atë shkrim, të cilin do ta kaloja thjesht me një lexim nëse do të ishte thjesht një mospërputhje mendimesh. Por duke qenë se artikullshkruesi e argumenton kundërshtinë me fakte të pavërteta, ndiej detyrim të bëj një replikë të shkurtër, që do të jetë e fundit, pavarësisht nga çfarë mund të pasohet.
Artikullshkruesi argumenton se “Wordpress” nuk është një platformë e pasigurt dhe joserioze, sepse atë e përdorin emrat e mëdhenj si “New York Times”, “Yahoo”, “eBay” etj.
Kjo nuk është e vërtetë. Faqet e tyre nuk janë të ndërtuara mbi “Wordpress”, por vetëm blogjet e tyre. Kjo deklarohet qartë edhe në faqen e “Wordpress”, ku listohen përdorues të rëndësishëm të kësaj platforme (http://en.wordpress.com/notable-users/). Po, “Wordpress” është një platformë e specializuar për blogje, siç e kisha shkruar që në krye të artikullit tim të parë. E megjithatë, asnjë prej këtyre nuk mohon problemin e sigurisë. Vetëm një javë më parë, blogu i “Reuters” ndërtuar në “Wordpress”, u manipulua duke postuar në të një intervistë të pavërtetë (http://blogs.wsj.com/cio/2012/08/05/hacked-reuters-wordpress-platform-had-known-security-issue/).
Në artikull gjithashtu shkruhet që edhe Shtëpia e Bardhë i fshin arkivat e presidentëve paraardhës në website-n e saj zyrtar.
Nëse hyn në whitehouse.gov, vërtet nuk gjen artikuj mbi aktivitetin e Presidentit Bush. Por nëse bën një kërkim disasekondash, gjen lehtësisht faqen e Presidencës Bush, të plotë dhe të paprekur në adresën http://georgewbush-whitehouse.archives.gov/. Ndërsa arkiva e dy presidentëve paraardhës të Shqipërisë, thjesht është zhdukur.
Këto janë argumentet e pasakta me të cilat autori i artikullit hidhte poshtë problemet që ngrita në një shkrim dashamirës që u kujdesa ta mbaj brenda kornizës profesionale e ta bazoj në eksperiencën time 11-vjeçare në këtë fushë. Entuziazmin e tij për lehtësinë e navigimit dhe bukurinë e website-t të ri, nuk kam aspak qëllim ta kundërshtoj.
Top Channel