Panariti: Ujërat, po negociojmë me Greqinë

14/08/2012 00:00

Tirana zyrtare ka pranuar se ka nisur përgatitjet me ngritjen e grupeve të punës që do të negociojë për herë të dytë me Greqinë marrëveshjen për delimitimin e ujrave detare.

Kjo marrëveshje u rrëzua kohë më parë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe sipas ministrit të jashtëm Edmond Panariti ky vendim do të jetë baza për të negociuar me palën greke.

Deri tani vetëm kaq është pohuar zyrtarisht nga shefi i diplomacisë, i cili u tregua lakonik në përgjigjet e tij, duke mos dhënë detaje të tjera.
 
“Grupet e punës janë duke punuar. Në momentin që unë do të kem rezultatet e grupeve të punës, do të mblidhemi së bashku dhe do të diskutojmë për ecurinë e mëtejshm”, shprehet Panariti.

Mbi ç’baza po punohet?

Mbi bazën e legjislacionit të vendit dhe të legjislacionit ndërkombëtar.

Kjo ndryshon nga negocimi që është bërë më herët?

Ju e dini që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila anullon praktikën e mëparshme dhe mbi këtë bazë po punohet për ta riparë gjithë procesin.

Mund të na thoni ndonjë detaj më shumë?

Nuk mundem sepse do të ishte e parakohshme dhe spekulative që unë të bëja publike rezultate që janë ende në përpunim.

Kur mund të përfundojnë neogociatat?

Së shpejti, së shpejti.

A ka presion nga pala greke që pala shqipare të pranojë kërkesat e saj për çështjet e marrëveshjes së ujrave?

Nuk ka asnjë lloj presioni.

Takimi me median i shërbeu ministrit të jashtëm për të sqaruar edhe disa zëra mediatike greke se Greqia do ta kushtëzojë të ardhmen e marrëveshjes politike mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për projektin e gazsjellësit transadriatik me marrëveshjen e ujrave me Shqipërinë.

“Ky nuk është qëndrimi zyrtar as i qeverise greke, as i qeverisë shqiptare. Nuk ekziston asnjë varësi, asnjë lidhje funksionale midis këtyre dy problemeve. Këto probleme do të trajtohen individualisht, në mënyrë të veçantë, të pavarura nga njëra-tjetra. Pra, progresi për njërën nuk do të kushtëzohet nga progresi apo refgresi në çështjen tjetër”, u shpreh Panariti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB