Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për Shqipërinë miqësorja me Moldavinë mbrëmjen e së mërkurës.
Ky takim do të jetë testi i fundit për rreth 34 lojtarë që ka parë e stërvitur trajneri De Biazi, për të seleksionuar edhe grupin që do të përbëjë përfaqësuesen tonë për eliminatoret e Botërorit 2014.
Koha në dispozicion duket të jetë e shkurtër, megjithatë, Lorik Cana, beson se grupi i ri i lojtarëve ka elementë shumë të mirë. “Çdo ndeshje ka rëndësinë e saj dhe çdo ndeshje është e rëndësishme. Koha në dispozicion është shumë e shkurtër dhe duke pasur parasysh që pas kësaj ndeshje trajneri duhet t’i ketë gjërat sa më të qarta për të ditur se si do të luajmë në fazën kualifikuese”, deklaroi kapiteni i përfaqësues, Lorik Cana.
Ndërkohë që është rikthyer pas një mungese prej 5 muajsh, Hamdi Salihi, sulmuesi shkodran që aktualisht po kalon një forme të mire tek skuadra e D.C United ne Amerikë. Kjo është hera e tij e parë që do të vendoset në dispozicion të De Biazit. Nga seanca e parë stërvitore, Salihi ka kuptuar se ndryshe nga trajnerët parardhës që ai ka pasur në përfaqësuese, italiani nuk mjaftohet vetëm me kurajon.
“Është normale që kur vjen një trajner i ti, të gjithë pyesin dhe presin të shohin se çfarë do të ndryshojë. Është diçka e re dhe secili ka atë stilin e tij. Trajneri është italian, i përqendruar më shumë tek taktika se sa tek zemra në fushë siç e kemi patur më parë. Më parë jemi përqendruar vetëm tek vënia e zemrës në fushë, por nuk arrihet gjithçka pa taktikë”.
Ndërkohë, ndeshja miqësore me Moldavinë, përfundimisht do të zgjidhet vetëm me gjenerator. Federata ka vendosur të mos ndryshojë orarin, as për kundërshtarët dhe as për FIFA-n, duke i qëndruar vendimit të parë, por në mungesë të bashkëpunimit me CEZ-in, cështja e energjisë i është besuar gjeneratorëve.
Të mërkurën në “Qemal Stafa”, ora 20:30, Shqipëri-Moldavi, testi i parë i trajneri De Biazi, përballë publikut shqiptar.
Top Channel