Qeveria meksikane ka miratuar mobilizimin e 12 mijë ushtarëve dhe 3 mijë agjentëve të policisë federale në 7 shtete të vendit, për të luftuar krimin e organizuar.
Lajmin e kanë bërë të ditur departamentet e Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare, sipas të cilave 600 ushtarët e parë, të mbështetur nga dy helikopterë dhe 20 autoblinda, janë dërguar tashmë në shtetin e Mikoaçanit.
Në tërësi dhuna e lidhur me trafikun e drogës në Meksikë ka shkaktuar rreth 50 mijë viktima që prej vitit 2006, kur presidenti i atëhershëm futi ushtrinë kundër karteleve.
Një ditë më parë, një familje e përbërë nga shtatë persona, mes të cilëve tre fëmijë, u shfarros e tëra në qytetin e Verakruzit. Familjarët, të gjithë me fytin të prerë, u gjetën nga fqinjët për shkak të erës së tmerrshme që vinte nga shtëpia e tyre.
Hetuesit që mbërritën në vendin e ngjarjes, nga ekzaminimet që kryen, arritën në përfundimin se familja ishte vrarë 73 orë më parë. Mes viktimave ishin edhe tre fëmijë, të moshavë 3, 7 dhe 9 vjeç.
Kjo është hera e dytë në më pak se një javë që një familje përfundon në shënjestër të bandave të narkotrafikut. Pavarësisht arrestimit të figurave të spikatura të botës së krimit të vendit latin, situata mbetet e pandryshueshme dhe dhuna e trafikantëve nuk kursen as të miturit.
Top Channel