Kryeministria: Vila, jo e Berishës

14/08/2012 15:10

Një ditë pasi “Top Channel” bëri publike pamjet e rezidencës qeveritare në Vlorë, e sapo mobiluar dhe shpenzimet per arredimin e saj ka reaguar Kryeministria.

Në një njoftim të shpërndarë në media, drejtoria e shërbimeve qeveritare, agjenci në varësi direkte të këshillit të ministrave thuhet: “Dje, televizioni “Top Channel”, transmetoi në edicionin e tij të lajmeve një montim lidhur me një rezidencë qeveritare në Vlorë, të cilën e paraqiti, duke shpifur, si rezidencë të Kryeministrit Berisha”.

“Lidhur me këtë kronikë”, – thuhet në reagimin e qeverise – “zëdhënësi i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare sqaron opinionin publik se vila në Vlorë, e paraqitur në kronikën e televizionit “Top Channel” është rezidencë qeveritare, shtëpi pritje për personalitete të larta të vendit dhe të huaja, miq të shquar të Shqipërisë”.

Më tej, në reagimin e qeverisë thuhet se “pretendimi i Top Channel se vila qeveritare në Vlorë është rezidencë e Kryeministrit është një trillim i ulët që ka qëllime të kundërta me misonin e një media”.

Sipas zyres se shtypit te Kryeministrit ky është një rast i përsëritur duke sjelle ne vëmendje videon e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta me ish-ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti, si dhe atë të makinës 700 mijë euro “Mercedes Benz”, të blerë për transportin e kryetarëve të shteteve,  kryeministrave dhe kryetarëve të Parlamenteve të vendeve mike, që vizitojnë Shqipërinë dhe që sipas njoftimit zyrtar nuk është përdorur asnjëherë nga Kryeministri apo personalitete të tjera të vendit.
 
Pavaresisht reagimit, ne njoftimin e zyres se shtypit te Kryeministrit nuk përgenjeshtrohen pamjet e brendshme të viles dhe as shuma për arredimin e saj, per të cilën “Top Channel” i është referuar institucioneve zyrtare në varësi të vetë qeverisë, por thuhet se ajo nuk është residencë e Kryeministrit.

“Top Channel” ka nënvizuar se vila në Vlorë është residencë qeveritare dhe jo e Kryeministrit Berisha. Por, si çdo rezidence qeveritare, sipas protokollit mund të përdoret nga kryeministri Berisha, zyrtarë të lartë të shtetit dhe personalitete të huaja, siç pranohet në njoftim.

Gjithsesi, ajo qe duhet të theksohet eshte se në fokus të lajmit të “Top Channel” nuk ka qenë kryeministri Berisha, por shpenzimet prej 500 milionë lekësh për arredimin e një residence qeveritare në një kohe kur buxheti i shtetit ka njohur shkurtime shpenzimesh në sektorë të tjerë prioritarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA