
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Aldo Hoxhën, 20-vjeçari i akuzuar se vrau për një varëse shtetasen Fatbardha Tafa javën e kaluar.
Gjatë proçesit prokurori i çështjes ka deklaruar se i riu, i ndihmuar nga bashkëpunëtori i tij, e ka qëlluar pesë herë me thikë shtetasen Tafa.
Sipas përfaqësuesit të akuzës, prova kryesore ndaj të akuzuarit është fija e flokut e viktimës e gjetur në kapelen e tij ngjyrë jeshile të errët.
Ndërsa i pandehuri, nga ana e tij, ka mohuar çdo lidhje me ngjarjen e rëndë të 7 gushtit, në zonën e ish-Fushës së Aviacionit.
Aldo Hoxha është mbrojtur në këtë seancë nga avokati Arben Qeleshi, i cili në fillim të proçesit kërkoi 30 minuta kohë për t’u njohur me aktet gjyqësore.
20-vjeçari Hoxha u arrestua ditën e shtunë pas një gjuetie të vërtetë njeriu të forcave të policisë, të ndihmuara nga laboratori i policisë shkencore.
Ai është dënuar dhe një vit më parë për përdorim të armëve luftarake në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, si dhe ka qenë i skeduar më parë për vjedhje me dhunë.
Nga hetimet e kryera, ekspertët e policisë arritën të formonin identikitin e autorit, bazuar edhe në dëshminë e një prej fëmijëve të viktimës, i cili e kishte parë atë në fytyrë.
Autoritetet thanë se grabitësi tjetër, ai që drejtonte motorçikletën, ishte me trup normal, por në fytyrë mbetej i paidentifikuar për shkak të një skafande, e cila raportohet të ketë qenë me ngjyrë të zezë dhe e shkruar me ngjyra të hapura.
Për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve ishin vënë 20 numra telefoni në përgjim dhe u kontrolluan dhjetë servise makinash, pasi mendohej se autorët kishin shitur motorin për të humbur gjurmët.
Top Channel