Ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Moldavisë, e parashikuar për mbrëmjen e së mërkurës, me shumë mundësi do të zhvillohet ose në një stadium tjetër, ose në një orar kur nuk do të nevojitet energjia elektrike.
CEZ-i ka vendosur të ndërpresë furnizimin me energji stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, për arsye debie disa mujore.
Ndërkohë, që “Qëndra Sportive” SH.A e cila ka krijujar këtë debi prej rreth 7 qind mijë lekësh bashkë me kamatën, duket të mos përgjigjet më për stadiumin kombëtar, duke qenë që prej më shumë se një viti ka filluar proceduera e kalimit të këtij aseti nga “Qendra Sportive” SH.A në Shoqatën “Kuqezi” të krijuar nga federata. Federata thotë se ka propozuar negociata, por nuk ka patur sukses.
”Është për të ardhur keq që një shoqëri e regjistruar në Shqipëri dhe që përfaqëson interesat e shtetit, të tregohet kaq pak e ndjeshme ndaj kombëtares së këtij vendi. Nuk është aspak serioze ndaj miqve moldavë apo vetë FIFA-s, që t’i komunikojmë se do të ndryshojëm orarin e ndeshjes pasi nuk kemi energji elektrike”, deklaroi Eduard Prodani, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së.
Prej disa javësh, CEZ-i ka filluar një aksion për ndërprerjen e energjisë në disa qytete, të cilat nuk paguajnë prej kohësh energjinë elektrike, e nuk ka ndërmend të tolerojë, pas kërkesës për mirëkuptim të Federates, pasi sipas saj kjo do të pohonte standarte të dyfishta.
Burime pranë CEZ-it konfirmojnë se janë ofruar edhe kushte lehtësuese për shlyerjen e këtij borxhi, por ende nuk ka asnjë sinjal reagimi nga “Qendra Sportive” SH.A që vazhdon të ketë në ngarkim stadiumin e mbi të gjitha është shoqëria që e ka krijuar këtë borxh.
Kjo situatë e krijuar i ka tërhequr vëmendjen edhe trajneri De Biasi i cili i ka bërë thirrje kujdo që ka në dorë zgjidhjen e këtij problemi, deri edhe qeverisë apo kryeministrit, të ndërhyjë për të shpëtuar zhvillimin e ndeshjes, mbrëmjen e së mërkurës. Sa i përket aspektit sportiv, italiani De Biasi e konsideron si shumë të rëndësishme këtë ndeshje, që duket të jetë e fundit miqësore, përpara fillimit të eliminatoreve të Botërorit.
”Kemi grumbulluar shumë futbollistë, rreth 25 të tillë, sepse kjo miqësore do të jetë shumë e rëndësishme për të provuar formën e të gjithë lojtarëve përpara nisjes së ndeshjes kualifikuese. Është shumë e rëndësishme që kjo ndeshje të realizohet”, deklaroi trajneri italian i përfaqësues sonë.
Top Channel