Bashkëkombasit tanë romë

13/08/2012 00:00

Ylli Polovina – Siç janë shqiptarët, do të jetë Shqipëria. Siç jemi ne, do të bëhet edhe shoqëria.

Me fytyrën tonë do ta kemi shtetin. Elitat po ashtu, në të gjitha fushat ku prijnë, do të jenë kryekëput si ne. Të ngjashme me identitetin tonë krijohen edhe sistemet politike në Shqipëri. Nuk ndryshojnë aspak prej nesh edhe në mënyrën si e “ndërtuam” komunizmin real dhe si tani po ngjizim me stilin tonë karakteristik një shoqëri të hapur.

Për rrjedhojë, siç jemi ne shqiptarët do të jenë edhe romët. Janë fytyra jonë më parë se të jetë një pamje vetjake e tyre. Sepse romë ka në të gjitha vendet e botës, ekzistojnë edhe te fqinjët, bashkëjetojnë edhe me grekët, bullgarët, rumunët apo serbët, kroatët dhe malazezët. Më të varfër dhe më të lënë në fatin e tyre janë në viset tona, më të harruar gjithashtu. Ndjeshmëria shqiptare u vu në lëvizje edhe prej disa bashkëkombësve të përparuar, por kryesisht nga organizatat ndërkombëtare, që do të thotë prej mendësisë shumë më të përparuar të qytetërimit perëndimor. Kur ishte diktatura, e cila parimisht nuk e lejonte racizmin ndaj tyre, punë për ta ofronte e shumta pastrimi komunal. E njëjta gjë shihet edhe sot. Në mbrëmjet e vona apo natës së thellë janë shumë prej romëve që fshijnë rrugët. Mjaft prej tyre, sidomos të rinj, punojnë me makinat e pastrimit, të gjithë te procesi më i vështirë, ngarkim-shkarkimi i kazanëve me mbeturina qytetëse. Kur i sheh në atë përpjekje fizike të mundimshme, ndihesh i prekur prej fisnikërisë që nuk merren me trafik droge. Përveç ndonjë rasti shumë të rrallë e të veçantë, a keni dëgjuar që Policia e Shtetit të zbulojë një grup kontrabandistësh të kësaj bashkësie, trafikantë lëndësh narkotike apo armësh? Nuk kanë të metë përveç vesit të fare pak prej tyre, që i përdorin fëmijët e vegjël për të lypur dhe ky veprim është aq fort penal sa nuk e kupton se, pikërisht në mbrojtje të të drejtave të romëve, ndaj këtyre abuzuesve duhet të veprojë i fortë ligji. Të mos gjejnë vend ku të futen e jo t’i shtrijnë ato krijesa të brishta mbi trotuare, shpesh në pik të të ftohtit.

Këta pak nuk përfaqësojnë romët e vërtetë. Duke i lejuar sikur kjo është mënyra e tyre e jetesës, përveç mosnjohjes, provojmë se kemi paragjykime për një lloj race që nuk është identike me ne. Në të vërtetë jemi krejtësisht njëlloj, përveç mënyrës tradicionale dhe historike të tyre, jetës lëvizëse, ku strehimi është i përkohshëm dhe i ndërrueshëm, por jo familja e fëmijët, martesa e besnikëria bashkëshortore, të qenët gjysh apo nip, vëlla e motër… Dy javë më parë, në lulishten “Rinia” në mes të Tiranës, autori i këtyre radhëve u bë dëshmitar sesi polemizonin dy vëllezër romë. Ishin në moshë të re. Ai që ishte më i madhi po i bënte gjyqin të voglit. I kërkonte llogari përse nuk kishte ardhur në shtëpi (me siguri një kolibe e vogël me ca llamarina) dhe se ku kishte fjetur një natë më parë, përse shoqërohej me të droguar dhe mos ishte përzier bashkë me ta në ndonjë vjedhje. Tjetri nuk bindej, thoshte se nuk do të kthehej edhe atë natë, e mbase këtë herë do të kishte ndonjë fat. Vëllai i madh nuk ia kurseu akuzën: “Atëherë do të vjedhësh. Ti po na turpëron familjen”.

Të dyja palët, ne dhe romët, nuk njihemi mirë. Ndoshta sepse edhe ata vetë, shpesh vetëpërjashtues, ndihen më mirë të na rrinë larg, në ishujt e tyre të vetizolimit. Janë popull nomad, lëvizës. Për pasojë në bashkëjetesë me popuj të tjerë, sedentarë, që pëlqejnë qëndrueshmërinë e banimit dhe të punës, krijojnë mospërputhje, ndonjëherë edhe probleme. Një reportazh i kohëve të fundit mbi një lagje në brendësinë e afërt të Parisit, ku për romët ishin ndërtuar shtëpi banimi dhe pas një viti dukeshin si të përdorura prej pesë dekadash, si edhe në raste të tilla analoge të bëra publike në SHBA e gjetkë, dëshmojnë se bashkë me integrimin që duhet t’u bëjë një shoqëri, edhe brenda tyre kanë nevojë të vetintegrohen. Por në Shqipëri ata janë vetëm pesëmbëdhjetë mijë dhe ne të tjerët, mbi tre milionët, në fund të fundit të paktën fëmijët mund t’i ndihmojmë, por edhe t’i “shtrëngojmë”, të ndjekin shkollat deri në nivel universitetesh. Romët e duan zhvillimin dhe e ndjekin. Në mjediset e tyre më i kërkuar është një aparat televizori se një pjatë gjellë. Nuk janë as përtacë, por mjaft të përshtatshëm me shoqëri në ekonomi tregu. I gjejnë punët vetë, jo duke zënë radhë para bashkive e komunave. Ai i rrobave të përdorura në motet e vështira të largimit nga diktatura ka luajtur një rol të pashembullt në zbutjen e tensioneve të brendshme. Me siguri ju kujtohet se kur disa muaj më parë, në periferi të kryeqytetit ndodhi akti barbar i djegies së një vetëkampingu të tyre, menjëherë i denoncuar nga media dhe kur Avokati i Popullit kreu gjestin model të strehimit të tyre në mjedise të godinës së institucionit të vet, kur ra fjala për një mundësi tjetër strehimi të afruar nga administrata e shtetit, vendsistemimin e ri e kundërshtuan vetëm me një motiv. Thanë se e kishin larg vendit të punës. Saktësisht me këtë togfjalësh u shprehën: vendi i punës. Pastaj e shpjeguan. Ishte fjala se prej andej i kishin shumë larg kazanët e hedhjes së mbeturinave. Atje mblidhnin kanoçe, profesioni më i ri dhe më masiv i vetëpunësimit të tyre, pas atij të rrobave të përdorura. Nuk mbillnin apo mblidhnin bimë hashashi, siç për fat të keq ndodh edhe brenda oborreve të shtëpive në një nga qytezat e shtetit, por thjesht teneqeçka nga ato mijëra e mijëra, të cilat i pimë ne apo fëmijët tanë si tretës ushqimi të shumtë të mbetur si top në stomak apo që i gëlltisim thjesht si energjisjellës.

Kur ngjau ai aksidenti i sjelljes burokratike dhe jo me zemër në dorë i atij funksionari të bashkisë, kjo punë e thjeshtë dhe e nevojshme e romëve të vinte në mendje. Zhvendosja e nëpunësit në një sektor tjetër, ku rreptësia me të vërtetë vlen, ishte një masë shumë e mençur e institucionit ku punon. Nuk duhej lënë as ai të binte viktimë e vetvetes e ca më shumë i disa të tejashpërve që kërkonin të ishte pre e një ndëshkimi si të ishte armik i romëve. Zhvendosja e tij e kreu misionin e vet qytetërues: opinionit iu dha një sinjal mirëkuptimi për problemet sociale që kalojnë romët.

Pra të dobëtit. Shkalla e civilizimit të një shoqërie nis prej këtej, jo prej andej ku rrinë më të fortët.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA