Mjekët e dypunësuar, që shpesh gjatë orarit zyrtar i gjen të shërbejnë
në spitalet private nuk do të torelohen më, qofshin këta edhe shefa
shërbimi.

Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo deklaron për Top Channel se kanë nisur kontrollet për të frenuar këtë fenomen dhe ndaj kujtdo, që abuzon në këtë mënyrë do të ndërmerren masa administrative.

“Së pari, përsa i përket orarit zyrtar të mjekëve nëpër spitalet publike, unë sikurse e theksova mjekët janë të detyruar që në këtë orar zyrtar të shërbejnë në shërbimet e tyre në spitalet publike dhe jo vetëm gjatë orarit zyrtar, por edhe jashtë orarit zyrtarit, kur ajo është e nevojshme, kur ajo kërkohet nga shërbimi. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme për të parë respektimin e orarit, në bashkëpunim edhe me drejtoritë përkatëse të spitaleve, për të parë nga afër respektimin e orarit të bluzave të bardha dhe padyshim që do të ketë masa administrative, ndaj këtyre punonjësve”, tha Tavo.

Nje tjeter probleme me te cillin ndeshen pacientet eshte terheqja e tyre shpeshhere edhe me imponim nga mjeket drejt klinikave te tyre apo kundrejt perqindjeve drejt spitaleve private ku ata punojne. Sipas ministrit të Shëndetësisë, investimi ne teknologji, rritja e cilesise se sherbimit ne spitalet publike, si dhe motivimi i mjekeve nga ana financiare do te reduktoje nje fenomen te tille, por nga ana tjeter u kerkon qytetarëve të denoncojnë raste të tilla.

“Përsa i përket çështjes që me të vërtetë është një çështje e prekshme, rekrutimit të pacientëve nga spitalet publike, për në spitalet private kemi filluar të bëjmë sondazhe, ku pacientët do të shprehen në lidhje me ankesat që kanë dhe të adresojnë ankesat e tyre, qoftë edhe me emra përkatës, duke ruajtur anonimitetin e tyre, për problematikën që kanë hasur në shërbime të caktuar në spitalet publike. Nga ana tjetër është nxjerrja e kartës shqiptare të të drejtave të pacientetit që do të afishohet në çdo derë të çdo spitali”, tha Tavo.

Ministri i Shendetesisë theksoi se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe etikës së mjekut, gjuhës që përdor me pacientin dhe tregon se po shqyrtohen disa raste të denoncuara.

Top Channel