Njeriu i akuzuar për masakrën në një kinema të Kolorados, muajin e kaluar, është i sëmurë mendor, thanë avokatët mbrojtës.
Deklarata erdhi gjatë një seance dëgjimi në gjykatë.
Avokatët e tij argumentuan se ata kanë nevojë për më shumë kohë dhe informacione nga prokurorët që të vlerësojnë plotësisht gjendjen e James Holmes.
Ish-studenti 24-vjeçar, ishte i pranishëm në seancën e dëgjimit dhe dukej i humbur ashtu si në paraqitjet e mëparshme.
“Ne nuk mund të vlerësojmë natyrën dhe thellësinë e sëmundjes mendore të zotit Holmes derisa të marrim një shqyrtim të plotë”, tha avokati i mbrojtjes Daniel King.
Ai shtoi se prokuroria ka raporte të policisë, por jo fotografi, regjistrime apo ekspertime.
Prokurorët argumentuan se policia është ende duke intervistuar dëshmitarët dhe duke përfunduar raportet e tyre.
“Ka një sasi të madhe informacioni që duhet dokumentuar”, tha prokurori Rich Orman.
Holmes akuzohet pasi 12 persona vdiqën dhe 58 të tjerë u plagosën në sulmin që ai kreu në 20 korrik, në një shfaqje të mesnatës, të filmit të ri të sagës Batman, afër Denverit.
Top Channel