Tensione mes Japonisë dhe Koresë së Jugut

10/08/2012 08:40

Presidenti i Koresë së Jugut ka vizituar një grup ishujsh të pretenduar edhe nga Japonia, një lëvizje që ka rritur tensionet midis dy vendeve aziatike.

Zëdhënësi i Lee Myung-bak kishte informuar më herët se presidenti do të udhëtonte së shpejti në këto territore me helikopter, sapo moti t’ia lejonte këtë fluturim.

Ministri i Jashtëm i Japonisë kishte lëshuar ndërkohë një apel për tërheqjen e vizitës, duke theksuar se nëse ajo do të realizohej, do të ndikonte në marrëdhëniet midis dy shteteve, gjë që rezultoi e vërtetë.

Ishujt njihen si Dokdo në Korenë e Jugut ose Takeshima në Japoni. Secili prej dy kombeve aziatike ka pretendime historike mbi këto ishuj dhe çështja ka dëmtuar vazhdimisht marrëdhëniet midis dy shteteve.

Presidenti i Koresë së Jugut fluturoi fillimisht në rajonin kufitar të Ulleungut dhe më pas në zonën e diskutuar territoriale. Ai është shndërruar në liderin e parë koreanojugor në historinë moderne të kombit që mbërrin në këto territore.

Top Channel