Kur duhen më pak se tre muaj nga “election day”, presidenti Barack Obama ka një avantazh të fortë prej 7 për qind ndaj rivalit republikan Mitt Romney, ose 52 me 45 për qind, thotë një sondazh i kryer nga CNN/ORC International.
Anketa, e cila ka pyetur 1.010 të rritur, prej të cilëve 911 zgjedhës të regjistruar, ka zbuluar gjithashtu se treguesi i aprovimit për kandidatin republikan ka rënë me një pikë nga muaji i kaluar, në 47 për qind, ndërsa treguesi i mosaprovimit është ngjitur nga 42 në 48 për qind.
Ndërsa për presidentin Obama, në këtë aspekt ka pasur ndryshime minimale që nga korriku, me të dhënat që kanë regjistruar respektivisht 56 dhe 42 për qind.
I njëjti sondazh tregon nga ana tjetër se shumica e të intervistuarve, 64 për qind, vlerësojnë se ish-guvernatori i Masaçusetsit vepron për interesat e klasës më të pasur të vendit.
Ndërkohë, një spot televiziv kundër Romney, i transmetuar nga një grup i pavarur pro-Obama, ka shkaktuar acarimin e republikanëve. Spoti i gjatë një minutë lidh vdekjen e një gruaje nga kanceri me kandidatin republikan.
Në të shfaqet një burrë që ka humbur punën në një kompani të kontrolluar nga “Bain Capital”, e drejtuar nga Romney, dhe për rrjedhojë nuk mund të paguajë sigurimet shëndetësore për bashkëshorten dhe fëmijët.
Spoti në fjalë nuk u ka pëlqyer as demokratëve. Stafi elektoral i presidentit Obama është distancuar menjëherë nga ai. “Nuk kemi lidhje me asnjë spot të realizuar nga kompania “Priorities USA””, ka deklaruar zëdhënësja e stafit të presidentit, Jen Psaki.
Top Channel